Bashkësia Islame jep udhëzime për masat që duhet zbatuar pas hapjes së xhamive

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se pas vendimit të datës 25 maj 2020, të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, është marrë vendim që nga nesër, e enjte 28 maj 2020 të rihapen objektet fetare, respektivisht xhamitë dhe kishat për kryerjen e riteve fetare.

Kryesia e BI të Kosovës sot u ka dërguar Këshillave vendore Vendimin me udhëzimet dhe masat që duhet zbaruar me rastin e hapjes së xhamive.

“Në vendim janë dhënë këto udhëzime: Të merret abdes në shtëpi, të vendosen maskat, të përdoret dezinfektuesi, të ruhet distanca sociale mes besimtarëve, të mos ketë tubime tjera përveçse faljes së namazit (jo tubime në grup para dhe pas namazit, jo tubime me vijues të mësimbesimit, jo mukabele, jo ligjërata me përjashtim të hytbes ditën e xhyma), ligjërata e xhymasë mos të zgjas më tepër se 10 minuta, të mos shfrytëzohen abdes – hanet dhe tualetet e përbashkëta, besimtarët e shtyrë në moshë, ata me sëmundje kronike si dhe ata që kanë simptoma të virusit mos të shkojnë në xhami”, thuhet në vendimin e BIK-ut.