BIK - Foto: REL

Bashkësia Islame i reagon ambasadorit Qëndrim Gashi

Bashkësia Islame ka reaguar ndaj Ambasadorit të Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi.

Gashi, në rrjetin social Twitter, shpërndau një artikull të gazetës franceze Lefigaro, në të cilin shfaqet një karikaturë e Pejgamerit Muhamet.

Bashkësia Islame ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që të distancohet nga ky ripostim i Qëndrim Gashit, Ambasador i Kosovës në Francë. Ndërsa, e dëntoi veprimin e tij.

“Në fillimin e muajit të datëlindjes së Pejgamberit tonë të dashur Muhamed, kur ne dhe mbarë bota islame ka filluar manifestimet për të përkujtuar, lexuar e studiuar biografinë e tij te ndritshme  dhe mësimet e tij të shenjta, na vjen publikimi i karikaturave që ofendojnë Pejgamberin Muhamed  a.s., nga ambasadori ynë në Francë z. Qëndrim Gashi”, thuhet në reagimin e BIK-ut.

“Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëj me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë. Populli ynë njeh për vlerë kultivimin e tolerancës, mirëkuptimin, bashkëjetesën e harmoninë ndër fetare, që është shembull edhe për popujt e tjerë. Harmonia ndër fetare që ne kultivojmë me shekuj mund të jetë shembulli i mirë edhe për popujt dhe shoqëritë tjera”, thuhet tutje në reagimin e Bashkësisë Islame.

BIK ka dënuar edhe sulmin që ditë më parë ndodhi në Francë.

“Këtë shembull të mirë e vlerë të kombit tonë do të duhej ta ndiqte edhe ambasadori ynë, z. Qëndrim Gashi, e jo të bëj të kundërtën, dhe  me veprimet e tij ti kontribuoj mos durimit e urrejtjes  me bazë fetare. Kërkojmë nga ministria e jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar  vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare. Po ashtu dënojmë aktin kriminal ndaj mësuesit francez dhe në të njëjtën kohë angazhohemi që besimet tona mos të përdorën për urrejtje e mos durim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri”, thuhet në fund të reagimit.