
Naim Tërnava, Foto: BIK në facebook
Bashkësia Islame e Kosovës ua ndalon nëpunësve të saj pjesëmarrjen në fushata politike
Bashkësia Islame e Kosovës ua ka ndaluar nëpunësve administrativë dhe fetarë të BIK-ut pjesëmarrjen në fushata politike zgjedhore apo që të jenë aktivistë të ndonjë partie politike.
Në një letër drejtuar këshillave të BIK-ut nëpunësve administrativë dhe fetarë u tërhiqet vërejtja që të kenë kujdes të shtuar në paraqitjet e tyre publike mediale, përfshirë edhe postimet dhe komentet në rrjetet sociale.
Në dokumentin, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, që mban datën 08.01.2025, nëpunësve u ndalohet paraqitja e qëndrimeve zyrtare që i përkasin institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe personave kompetentë të saj, u ndalohet dhënia e fetvave për çështje të ndryshme fetare pa autorizim, u ndalohet paraqitja e qëndrimeve të tyre personale politike dhe pjesëmarrja në fushata politike zgjedhore.
Po ashtu, atyre u ndalohet të jenë aktivistë të ndonjë partie politike e të qenët kandidat në ndonjë nga listat e partive politike për pozita të caktuara në nivel lokal ose qendror, si dhe të manifestuarit publik me rastin e fitores së ndonjë partie të caktuar.
Sipas dokumentit që mban nënshkrimin e myftiut Naim Tërnava, çdo veprim i tillë konsiderohet shkelje e Kushtetutës së BIK-ut, ligjeve dhe akteve të tjera normative, për çka edhe do të sanksionohen.
Pjesëmarrja në tubime të natyrës politike u ka “kushtuar” dy zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin nga detyra të kolonelit Nexhmi Krasniqi, i cili u pa në një takim të thirrur nga kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Fotografitë e këtij takimi u shpërndanë nga kanidati i PDK-së për deputet, Fatbardh Rexha, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, më 06.01.2025.
IPK ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj majorit Isak Ejupi, i cili kishte marrë pjesë në një tubim politik të LDK-së.
“Roli i Policisë është kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.