Arkiv - Ceremonia e faljes së namazit të Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë - Foto: Denis Sllovinja

Bashkësia Islame e Kosovës pezullon të gjitha aktivitetet fetare në të gjitha xhamitë e vendit

Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, pas diskutimeve ka marrë disa vendime, në mesin e tyre edhe pezullimin e të gjitha aktiviteteve fetare në të gjitha xhamitë e vendit.

Vendimet e mëposhtme, KBRIK thotë se i ka marrë duke u nisur nga parimi islam se ruajtja e shëndetit dhe mbrojtja e jetës së njeriut është nga objektivat kryesore të fesë islame dhe  duke vlerësuar gjendjen e rritjes enorme të të infektuarve nga COVID-19 në Kosovë.

Këto janë vendimet e marra sot:

1. Pezullimin i të gjitha aktiviteteve fetare në të gjitha xhamitë e Kosovës, sikur janë ligjëratat e tribunat fetare.

2. Pezullimin emësimbesimit dhe shkollës verore nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës,

3. Obligohen Imamët të kujdesen për mbajtjen e distancës fizike të besimtarëve brenda xhamive,

4. Kufizimin e faljes në ambiente të mbyllura të xhamisë, jo më shumë se 50 persona,

5. Shenjëzimin e vendfaljeve brenda xhamive për shkak të distancës,

6. Pezullimin e manifestimeve fetare ,

7. Ndalimin e pjesëmarrjes së imamëve në të pame ,

8. Shkurtimin e hytbes së xhumasë në 10 minuta,

9. Falja e xhumasë nga dy herë në xhamitë qendrore sipas nevojës

Ndërsa, besimtarët obligohen që : Të mbajnë maska gjatë faljes në xhami, të përdorin sexhadet e tyre personale, të përdorin dezifenktuesit me rastin e ardhjes në xhami, të moshuarit mbi moshën 65 vjeçare  të falen në shtëpi, të rinjtë nën moshën  16 vjeçare  të falen në shtëpi, të sëmurit me sëmundje kronike të falen në shtëpi.

Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës thekson se sikur edhe deri më tani  është e përkushtuar të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet kompetente të vendit  për të ruajtur shëndetin publik të qytetarëve por njëkohësisht fton institucionet kompetente të vendit të mos të nguten në marrjen e vendimit për mbylljen e objekteve fetare, në këtë rast xhamive, sepse konsiderojn se vendimet dhe masat e marra nga Bashkësia Islame janë të mjaftueshme për luftimin e pandemisë në këtë fazë.

Po ashtu, KBIRK fton besimtarët që t’u përmbahen në përpikëri të gjitha vendimeve dhe rekomandimeve të dala nga Kryesia e Bashkësisë Islame  të Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.