BIK

Bashkësia Islame e Kosovës dënon sulmin terrorist në Vjenë

Bashkësia Islame e Kosovës përmes një komunikate për media ka dënuar aktin e djeshëm terrorist në Vjenë të Austrinë ku mbetën të vrarë 5 persona, njëri prej tyre dyshohet të jetë kryesi i veprës.

Bashkësia Islame ka cituar Kuranin, kur ka dënuar rastin.

“Kush vret një njeri është sikur të ketë vrarë mbarë njerëzimin”, thuhet në reagimin e BIK-ut.

BIK-u e ka cilësuar sulmin e djeshëm, si sulm mbi vlerat njerëzore e hyjnore.

“Sulmi i mbrëmë në Vjenë të Austrisë, është atak mbi vlerat njerëzore, humane e hyjnore. Vepër e dënueshme dhe e papranueshme që për qëllim ka frikën, shantazhin e kaosin, si dhe sfidimin e rendit dhe ligjit”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Nuk duhet bërë asnjë kompromis me terrorin, sepse terroristët nuk përfaqësojnë asnjë vlerë e asnjë besim përveç krimit e terrorit. Terrori nuk ka fe, por ka ideologji që ne nuk duhet pranuar e heshtur para tij”.

Institucionet e sigurisë së Austrisë kanë bërë të ditur se nga sulmi i djeshëm terrorist në Vjenë kanë mbetur të vdekur 4 civilë dhe një i pestë që dyshohet të jetë njëri nga kryesit e veprës.