Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Bashkësia e Tarikateve, bashkësia e gjashtë fetare në Kosovë

Qeveria e Kosovës miratoi plotësim-ndryshimin e Projektligjit për Lirinë Fetare, i cili parasheh që Bashkësia e Tarikateve të Kosovës të jetë bashkësia e gjashtë fetare, që përbën trashëgiminë historike, kulturore dhe shqërore të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, i cili e propozoi ndryshimin e Projektligjit për Lirinë Fetare, tha se deri më tash, me Ligin për Lirinë Fetare njihen pesë bashkësi fetare në Kosovë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e Besimit Hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës.

“Si bashkësi që përbën trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit, në projektligj është shtuar edhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës, e cila ka rreth 60 mijë anëtarë dhe një ekzistencë të gjatë prej 350 vjetësh në Kosovë”, tha Selmanaj.

Sipas tij, me Projektligjin për Lirinë Fetare rregullohet regjistrimi dhe pozita juridike e bashkësive fetare dhe caktohet zyra përkatëse për bashkësitë fetare në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të jetë përgjegjëse për zbatimin e projektligjit.

Në raportin për liritë fetare në vitin 2019, të publikuar në qershor nga Departamenti amerikan i Shtetit, thuhet se Kushtetuta e Kosovës parashikon lirinë e fesë dhe ndalon diskriminimin fetar, porse ligji nuk parashikon mënyra për grupet fetare që të fitojnë statusin juridik.

Sipas raportit, Kuvendi i Kosovës nuk e ka shqyrtuar projektligjin që do t’iu lejonte grupeve fetare të fitonin statusin juridik./REL