Bashkëshortët e dyshuar për kontrabandë me migrantë, burri në arrati

Shqipe Shkodra dhe bashkëshorti i saj, Adnan Cani, dyshohen se morën mbi 2 mijë euro për të kontrabanduar Lulzim Ahmetin nga Kosova për në Serbi e pastaj në vende të tjera të Europës.

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj gruas ndërsa burri i saj vazhdon të jetë në arrati.

E akuzuara para gjykatës është deklaruar e pafajshme.

Si dëshmitar në këtë rast sot u dëgjua polici hetues, I.H. i cili tregoi se e ka intervistuar dëshmitarët dhe të akuzuarën.

Ai tha se ka ardhur i dëmtuari Lulzim Ahmeti dhe ka deklaruar se ka qenë i mashtruar nga një person i quajtur Adnan Cani nga fshati Llashticë.

“Ai më pati thënë se për shumën prej 2 mijë e 400 euro do ta dërgojë në Itali në rrugë ilegale. Pasi që kishin arritur marrëveshjen Adnani i kishte thënë qe të kontaktojë me gruan e tij  në telefon tani të akuzuarën Shqipe Shkodra dhe pasi kishin kontaktuar me të akuzuarën dhe ishin takuar në një lokal në Gjilan, aty e akuzuara i ka marrë shumën prej 2 mijë e 400 euro”, tha polici.

Hetuesi shpjegoi tutje se si kishte marrë paratë e akuzuara.

“Arsyeja se pse i ka marrë paratë në tualet ka qenë fakti që mos të shihet nga askush. Shqipja edhe në deklaratë e ka pranuar se i ka marrë paratë mirëpo ajo ka thënë se këto para ka menduar se ja ka borxh i dëmtuari burrit të saj”, shtoi ai.

Polici theksoi se bashkëshortin e të akuzuarës nuk ka mundur ta intervistojë pasi nuk e kanë gjetur në adresën e tij.

“Kemi shkuar te shtëpia e tij disa herë por të afërmit e tij na kanë thënë se Adnani nuk gjendet në Kosovë. Pastaj atë e kemi futur në Stop Listën e Policisë”, përfundoi ai.

Për shkak të mungesës së dëshmitarëve Lulzim Ahmeti dhe Arber Abazi seanca e sotme u shty për muajin dhjetor.

Sipas Prokurorisë e akuzuara Shqipe Shkodra gjatë vitit 2016 ka kontrabanduar migrantë ashtu që pasi është marrë vesh me bashkëshortin e saj Adnan Cani (i cili ndodhet në arrati) nga i dëmtuari Lulzim Ahmeti nga fshati Skifteraj në Viti, ka marrë 2 mijë e 400 euro për ta dërguar së pari në Serbi e pastaj përmes rrugëve ilegale në vendet e Europës.