Bashkëpunimi Kosovë - Francë, synohen trajnimet e specializuara në Shkollën Kombëtare Franceze

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, kreu i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj dhe kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës Kujtim Munishi, kanë pritur sot në takim përfaqësuesen e Shkollës Kombëtare Franceze të Magjistraturës, Frédérique Dubost dhe përfaqësuesen e Ambasadës së Francës në Kosovë, Cécilia Maronnier.

Si çështje me interes strategjik, u theksua mbajtja e trajnimeve të specializuara për prokurorët, të cilët merren me hetimet e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike në Shkollën Kombëtare Franceze të Magjistraturës dhe zhvillimi i vizitave studimore në këto institucione.

Po ashtu, pjesë e rëndësishme e diskutimeve të përbashkëta ishin edhe shkëmbimi i përvojave në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve dhe bashkëpunimi juridik në luftimin e terrorizimit dhe krimeve të luftës, me theks të veçantë në bashkëpunimin për trajtimin e viktimave të krimit.