
Kenan Aliu, ngjyrosës dhe dekorues i mureve – Foto: Gentiana Ahmeti
Bashkëjetesa përmes punës
Në Kosovë, mundësitë për punësim shpesh janë të kufizuara, por puna në shumë raste bëhet urë që lidh njerëzit. Pavarësisht dallimeve, qytetarë nga komunitete të ndryshme bashkëpunojnë çdo ditë, duke sfiduar paragjykimet dhe forcuar ndjenjën e përkatësisë në shoqëri.
Paragjykimet dhe diskriminimet me të cilat përballen pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian zakonisht vijnë për shkak të etnisë së tyre, andaj dhe bashkëpunimi në baza ditore është më sfidues.
Por, kërkesat për një shërbim dhe mundësia për të ofruar atë në mënyrë më cilësore ka ndikuar që etnia të mos jetë në rend të parë dhe bashkëpunimi të fillojë.
Kenan Aliu, me profesion ngjyrosës i mureve, është drejtues i një biznesi familjar për ngjyrosjen dhe dekorimin e mureve, i cili bazën e ka në Ferizaj, por puna e tij ka arritur të kërkohet në qytete të tjera të Kosovës dhe përtej kufijve.
Fillimisht për Aliun, i cili vjen nga komuniteti ashkali, përkatësia etnike ka qenë një përballje e kaluar me anë të punës dhe besimit që ka krijuar te klientët e tij nga komuniteti shqiptar, të cilët më vonë janë bërë edhe shokë të tij dhe bashkëpunëtorë shumë të mirë.
“Punën si ngjyrosës unë e kam nisur me një kovë shumë të vogël, por kam besu që s’ka me mbetë me të. Për herë të parë kam ngjyrosë në shtëpinë time dhe kam pa që është punë që përnjëmend më pëlqen dhe nga atëherë nuk jam ndalë” – tregon Aliu.
Puna të cilën e ka bërë te klientët e parë ka ndihmuar si referencë për të sjellë klientë të rinj dhe më pas me anë të rrjeteve sociale Aliu ka reklamuar punën e tij për pothuajse 20 vite.
“Ka pasë klientë që nuk e kanë ditë që unë jam ashkali, por shumica prej tyre edhe e kanë ditë, por unë personalisht nuk jam përballë asnjëherë me paragjykime në punë, por kjo nuk do të thotë që s’kam dëgju duke folë për të tjerët” – thotë Aliu.
Për Kenan Aliun, Kosova është një vend i mundësive. “Vendi është i mirë, bëje punën mirë, ndërsa suksesin e pret vetë” – thotë ai.
Sipas regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2024 në Kosovë jetojnë 8,730 romë, 16,207 ashkali dhe 10,581 egjiptianë, por ASK nuk ka të dhëna për punësimin e qytetarëve në bazë të etnisë.
Ura lidhëse mes bizneseve dhe të rinjve
Jo rrallëherë ndodh që të rinjtë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të përballen me vështirësi të ndryshme për një vend pune, andaj për të ndihmuar në rrugëtimin e tyre organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë” (VORAE), përmes programit “Puna ime e Parë” për të dytin vit radhazi ka ndihmuar në punësim rreth 80 të rinj në profile të ndryshme në biznese të ndryshme private në gjithë Kosovën.
Asistimin për aplikime në vende të punës nga VORAE thonë se e kanë bërë edhe më parë, por që me kalimin e viteve kanë parë një përmirësim sa i përket bashkëpunimit me bizneset private.
“Në vitet e para kompanitë kanë hezitu me bashkëpunu, nuk kanë pasë besimin se nëse vjen një pjesëtar i komunitetit mundet që stafi i tyre mos m’e pritë mirë, por me kalimin e kohës, duke e prezantu programin dhe punën tonë, atëherë kemi arritë me kriju marrëveshje bashkëpunimi me dyqane ushqimore fillimisht” – thotë Amanda Toska, zyrtare e programit të punësimit në VORAE.
Toska tregon se të rinjtë përmes trajnimeve të ndryshme që ata ofrojnë paraprakisht përgatiten për intervistat e punës dhe varësisht nga shkollimi që kanë ata drejtohen te kompanitë që ofrojnë profile për ta. Sipas saj, më e rëndësishmja është që të rinjtë të mësohen me kulturën e punës.
“Profilet që më së shumti kanë aplikuar në programin “Puna ime e Parë” kanë qenë në drejtimet si infermieri, jurist, dizajner grafik, ekonomist, asistent të shitjes dhe varësisht nga rajoni nga ata vijnë edhe janë punësuar” – tregon ajo.
Përmes të njëjtit program, tash e gjashtë muaj është përfituese edhe njëzetvjeçarja Meleke Misini nga Prizreni, e cila vjen nga komuniteti rom.
Ajo është duke punuar si infermiere në një ordinancë private dhe është studente në vitin e dytë të studimeve për Higjienë dhe Estetikë Dentare në qytetin ku jeton.
“Para se me hy në punë nuk kam pasë asnjë dyshim se kam me pasë paragjykime. Momentalisht në ordinancë punojnë tre mjekë dhe jemi tre infermierë, ku njëra-tjetrës i ndihmojmë pa problem edhe pse jemi komunitete të ndryshme. Edhe mua nuk më shohin me ndonjë sy tjetër, por qëllimi është që me përfundu punën dhe me i plotësu nevojat e pacientit” – thotë ajo.
Sipas Misinit, diskriminimi në punë nuk është më njëjtë duke e krahasuar me kohë kur prindërit e saj kanë qenë në të njëjtën moshë.
“Puna ka ndiku shumë mirë, bile bisedojmë me doktorët shumë herë dhe kalojmë barrierat e pozitave profesionale, sikurse shokë e shoqe me kanë. Kemi kriju një hapësirë shumë të mirë dhe kjo ndikon që edhe me pacientët me pasë komunikim të mirë” – thekson ajo.
Përmes këtij programi paga subvencionohet nga organizata VORAE dhe zgjat gjashtë muaj. Por, Misini shpreson që pas fitimit të përvojës do të marrë një kontratë pune.
Gjatë vitit 2024, në Agjencinë e Punësimit në Republikën e Kosovës (APRK) kanë kërkuar punë 264 qytetarë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 99 prej tyre janë punësuar në sektorin privat përmes APRK-së.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, thotë se vitet e fundit kërkesat për punëtorë janë më të mëdha dhe përfshirja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në tregun privat të punës ka pasur ndryshime.
“Gjendja e klasës punëtore është shumë më e mirë te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian sesa ka qenë më herët, sepse tani për tani ka vend për të gjithë. Në biznese private ka vende të lira të punës në të cilat pjesëtarët e këtyre komuniteteve po e gjejnë veten. Unë kam informacione që punëtorët që kanë plotësuar kriteret nga komunitetet i janë përveshur punës në kompani private” – tregon Azemi.
Gjatë vitit 2024 mbi 30 të rinj të punësuar përmes programeve të organizatës VORAE kanë arritur të sigurojnë kontrata të rregullta në të cilat kanë bërë punën e tyre të parë.
“Ka pasë rezultate dhe dyert janë të hapura, nuk po them që diskriminimi është zhdukur, ka probleme, ka paragjykime, por e mira e kësaj është se nuk vjen nga kompani ku janë të punësuar të rinjtë, por mund të vijë nga ndonjë kolegë” – thotë Toska.
Sipas Hulumtimi Kombëtar mbi Antigjipsizmin në Kosovë të vitit 2022, “Bazuar në rezultatet e anketës, 71% e të anketuarve romë, ashkali dhe egjiptianë besojnë se nuk është bërë mjaftueshëm për të promovuar diversitetin në vendin e tyre të punës sa i përket punësimit të njerëzve me origjinë apo prejardhje rome, ashkali apo egjiptiane, një besim që ndahej nga 46% e të anketuarve jo-romë, ashkali ose egjiptianë”.
(Gentiana Ahmeti është gazetare e pavarur)