Bashkëfshatarët e Ramiz Lladrovcit kundërshtojnë projektin e Komunës për rrugë të gjerë veç 2 metra

Banorët e fshatit Gllanasellë të Drenasit po kundërshtojnë projektin e nisur të Komunës që një pjesë e rrugës të shndërrohet në trotuar.

Gllanasella është fshati i lindjes se kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci.

Banorët janë mbledhur gjatë ditës së diel në rrugën kryesore në shenjë proteste.

Ata po kërkojnë që rruga që lidhë lagjen Nika dhe Topilla të shtrohet me asfalt me gjerësi katër metra dhe jo vetëm dy siç është në projekt.

Administratori i fshatit, Albert Nika, në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se ndërtimi i trotuarit me gjerësi dy metra pamundëson lëvizjen e lirë në institucionet e fshatit dhe në tokat e tyre bujqësore.

“Janë katër metra gjerësi të rrugës ku janë rreth 150 shtëpi që Komuna ka deshtë me shtru dy metra trotuar mes rrugës edhe dy metra rrugë me asfalt. Kjo rrugë lidh lagjen Topilla-Krasniqi me shkollë, ambulantë, me varreza të fshatit, tokat bujqësore të lagjes Nika. Trotuari është i pashfrytëzueshëm për neve. Ne kërkojmë që të shtrohet me atë gjatësi që është ”, tha ai.

Rruga në fshatin Gllanasellë – Foto: Facebook

Ai shprehet se kanë bërë kërkesa dhe peticione por që punimet kanë vazhduar sipas planit të Komunës.

“Na kemi bërë kërkesë në fund të vitit 2019, kemi dërgu një kërkesë kur kanë fillu punimet. Ne kemi mendu që po shtrohet ashtu sa është rruga, pas asaj kemi dërguar edhe një kërkesë tjetër me peticion. Kanë qenë ata zyrtarët e kanë këqyrë gjendjen e rrugës edhe nuk kanë ndryshu kurrgjë, kanë vazhdu me punu punëtorët, pastaj ne e kemi organizuar edhe këtë protestë”, thotë ai.

Njëjtë shprehet edhe banori tjetër, Bekim Nika. Ai thotë se Komunës i kanë ofruar edhe një alternative tjetër për shtrimin e kësaj rruge.

“Ne i kemi dy kërkesa, kërkesa e parë është që rruga të jetë me gjerësi katër metra por në qoftë se kryetari nuk pranon e don veç tretuar ne i kemi thanë që barte trotuarin në skaj të rrugës me gjerësi 1 metër dhe pjesa tjetër le të jetë tri metra kur të kanë buxhet sivjet ose vitin tjetër apo ma vonë s’ka dert veç që mos me u blloku tokat bujqësore”, tha ai.

Ata paralajmërojnë se do të vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesën për ndërtimin e kësaj rruge të cilën e quajnë jetike pasi që lidh shumë fshatra.

Lidhur me ketë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Drenasit.

Përmes përgjigjes së tyre elektronike kanë thënë së të gjitha projektet që janë të planifikuara do të kryhen ashtu siç janë të miratuara nga ana e Kuvendit dhe të listuara sipas prioriteteve.

Sipas tyre, është e rëndësishme ndërtimi i këtij trotuari për shkak se paraqet sigurim për fëmijët.

“Ne i kuptojmë shqetësimet e banorëve të fshatit Gllanasellë rreth implementimit të projektit të trotuarit, por i njoftojmë se Komuna ka planifikuar ndërtimin e këtij trotuari i cili është shumë i rëndësishëm pasi që lidh shumë lagje të fshatit Gllanasellë, lagjen Nika, Topilla dhe Krasniqi”, thuhet në përgjigje.

“Komuna ka pranuar kërkesa nga ana e komunitetit të fshatit për rregullimin e trotuarit dhe të njëjtat është duke i implementuar në terren. Ky projekt ka qenë i planifikuar në listimin e projekteve kapitale dhe nuk qëndron ajo që Komuna ka bërë devijimin e projektit dhe ngushtimin e tij. Projekti i cili është në realizim ka të bëjë me rregullimin e trotuarit. Ka 20 vite që ajo pjesë nuk ka qenë e kalueshme, pasi që ishte mbyllur nga barishta e ferra, Komuna e ka hapur vetëm për ndërtimin e trotuarit dhe sigurimin e fëmijëve shtëpi-shkollë dhe anasjelltas”, thuhet më tej në përgjigjen eletronike të Komunës.