Bashkë me djalin, e dyshuara kryen vjedhje në banesën ku ishte punëtore e mirëmbajtjes

Policia e Shtetit ka njoftuar se dy persona, nënë e bir, janë vënë në pranga pasi dyshohet se vodhën në një banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë.

Policia ka sekuestruar mbi 8 milionë lekë të rinj të dyshuar të vjedhur në këtë banesë ku e dyshuara kishte qenë punëtore e mirëmbajtjes, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.

Të dyshuarit janë R. D., 49 vjeçe dhe H. D., 23 vjeç (nënë e bir), të dy banues në Tiranë.

Sipas njoftimit, nga provat e siguruara në kuadër të këtij operacioni, rezultoi se gjatë periudhës që shtetasja R. D. ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve, kjo shtetase, në bashkëpunim me shtetasin H. D. (djali i saj), ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.

“Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.