Foto: KALLXO.com

“Bashkë, kundër padrejtësive!”, fillon java e të drejtave të njeriut

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) ka organizuar një konferencë në fillim të  javës së të drejtave të njeriut me temën “Obligimet e shtetit ndaj të drejtave të njeriut”.

YIHR KS këtë vit do të shënojë Javën e të Drejtave të Njeriut nën sloganin “Bashkë, kundër padrejtësive!”.

Në panelin me temën “Obligimet e Shtetit Ndaj të Drejtave të Njeriut” që ka filluar hapjen e javës për të drejtat e njeriut ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Foto: KALLXO.com

Kurti gjatë këtij paneli tha se nuk mund të ketë barazi pa të drejta të njeriut dhe pa pluralizëm.

Kurti tha se pavarësisht si jemi, kush jemi, e ku jemi, jemi të barabartë.

Ai ka shprehur mirënjohje për punën e angazhimin e përbashkët.

“Në këtë sallë ka fuqi të madhe të mjaftueshme për t’i shtuar përpjekjet e përbashkëta për të ardhme gjithëpërfshirëse mundësi të barabarta pa dallim” – tha ai.

Kryeministri iu drejtua përfaqësuesve të organizatave të ndryshme, se është i bindur që suksesi nuk do të mungojë dhe do të jetë më i afërt sesa mendohet “veç të jemi bashkë kundër padrejtësive”.

Kurti tha se për barazi e mundësi më shumë, vitin 2022 e kanë shpallur vit të personave me aftësi të kufizuara.

“Ndonëse është angazhim i yni kemi punu këtë vit më shumë se viteve të kaluara”- theksoi Kurti.

Foto: KALLXO.com

Gazetarja Jeta Xharra tha se është interesant me pa një organizatë të tillë duke u rritur çdo vit dhe duke qenë çdo vit më efektive.

Luljeta Demolli, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore tha se krejt viti ka shkuar nga një situatë e shkelje më e rëndë se tjetra.

“Sot është ditë që sot i përgëzoj kolegët aktivistë që janë në beteja që nuk janë të lehta në gjitha aspektet duke fillu nga lufta kundër dhunës ndaj grave”- tha Demolli.

Demolli tha se mesazhi që do të jap është zbatimi i ligjit, ligjet t’i përafrojnë me standarde ndërkombëtare siç janë në botën e përparuar ku të drejtat e njeriut janë prioritet.

Afrim Maliqi nga Handikos tha se personat me aftësi të kufizuara kanë të drejta në shëndetësi, arsim, punësim, etj e jo nevojë.

Maliqi tha se ndërgjegjësimi është më i madh.

“Flitet çdo kund kjo është një arritje me vetë faktin që takohen institucionet e ndryshme e kjo është e arritur ndërgjegjësimi”- tha ai.

Maliqi ka përmendur se MAShT e ka ngrit numrin e asistentëve në shkolla.

Por sipas tij harrohet sa është përqindja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla. Ai tha se është tepër i vogël.

“Institucionet duhet të merret më seriozisht me këtë rast”- shtoi ai.

Në këtë panel është diskutuar rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë vitit 2022 në Kosovë.