Fisnik Berisha

Bashkatdhetari kërkon gastronomë nga Kosova për t`i punësuar në Francë

 

Fisnik Berisha, i cili jeton dhe vepron në Francë, përmes grupit Network Prishtina në Facebook bëri thirrje për t’i punësuar dy kuzhinierë kosovarë në restorantin në të cilin ai punon si menaxher.

Postimi i tij ka marrë gati 1,000 reagime ndërsa ai vetë thotë që vetëm brenda ditës ka marrë rreth 500 mesazhe nga të interesuarit që e kanë kontaktuar privatisht.

Sipas Berishës, Franca që pas lirimit të masave të izolimit, pas majit të 2021-ës ka hyrë në një krizë të mungesës së punëtorëve në sektorin e gastronomisë. Ai cilëson se arsyeja prapa kësaj ishte se puna nga shtëpia filloi t’u dukej punëtorëve më e përshtatshme se puna në kuzhinë.

“Ne pasi që jemi hapë i kemi humbë 4 punëtorë: tre kuzhinierë dhe një në shërbim, dhe është shumë vështirë me i zëvendësu, ndaj edhe mendova që mundem me i ndikmu dikujt prej Kosovës. Mendoj që është mundësi e mirë”, tregon ai.

Ai thotë se cilësia e punës në kuzhinat e restoranteve kosovare është e njëjta që kërkohet në restoranet në Francë. Si rrjedhojë, përmes postimit të tij, Berisha kërkoi kuzhinierë kosovarë të motivuar për punë në mënyrë që edhe të përmbushë nevojat në restoranin që ai e menaxhon, por edhe t’ua hapë rrugën atyre që duan të ndërtojnë karrierë në këtë fushë.

“Kur kam punu në Kosovë nëpër restorante e kafiça e në gastronomi në përgjithësi, t’u e pasë parasysh që ka njerëz që dijnë me punu shumë mirë në Kosovë, më ka lindë ideja për ta ndihmuar dikë”, shprehet ai.

Puna jashtë vendit është e vështirë dhe ndonjëherë e pamundur për t’u arritur për shumë kosovarë, për shkak të procedurave të vizave. Berisha tha se edhe për këto procedura do të kujdesej ai.

“E diskutova këtë ide me shefin kryesor të restoranit, dhe e pamë si të mundshme që me siguru vizë pune [për këta dy punëtorë]”, tha ai.

“Normalisht, ideja ishte që me marrë edhe dikënd në sallë, kamarierë apo diçka tjetër, mirëpo puna e gjuhës po është shumë e kufizuar”.

Tutje, ai thotë që po qe se çdo gjë shkon mirë me punëtorët e parë që i merr nga Kosova, ai do të vazhdojë mundimet për të krijuar mundësi për kosovarë të tjerë.

“Kam pasë dëshirë me fillu me dy kuzhinierë, por nëse koha [dhe mënyra] për me marrë vizë pune është e thjeshtë, pa komplikime, po mendoj që kam me vazhdu me propozu punëtorë tjerë edhe nëpër restoranet tjera. Këto pa asnjë përfitim personal por të paktën e di se po e ndihmoj dikë në Kosovë”, shtoi ai.

“Këtë ua kam thënë të gjithëve [që më kanë kontaktuar]”, tregoi ai, meqë kërkesa për këtë mundësi pune ka qenë shumë e lartë. Ai gjithashtu theksoi që e kupton interesimin e madh meqë edhe vetë ka qenë në pozitë të njëjtë.

Për më tepër, Berisha thotë që restoranti ku punon si menaxher është bistronomik, pra i kushtojnë rëndësi detajeve dhe pamjes së ushqimit në pjatë po aq sa i kushtojnë gatimit të tij dhe shërbimit. Mirëpo në rradhë të parë, ai po kërkon punëtorë që gatuajnë mirë dhe dijnë të sillen në kuzhinë.

Pamundësia për t’i testuar dhe intervistuar kandidatët në kohë direkte e ka lënë videon si mundësi të vetme për të vlerësuar punën e kandidatëve dhe për të bërë përzgjedhjen.

“Unë kam kërku një video të shkurtër [të kandidatëve] duke përgatitur diçka, të cilën do t’ua prezentoj shefit kryesor dhe shefit të kuzhinës. Më kanë dërgu video, foto, disa edhe uebsite personal, e këto ma kanë lehtësu punën”, thotë Fisnik Berisha.

Postimi i i tij në grupin Network Prishina në Facebook përveç që mori komente nga të interesuarit për pozitat e punës, mori gjithashtu komente pozitive nga qytetarët e tjerë. Ata e vlerësuan zemërgjerësinë e tij për t’i ndihmuar bashkatdhetarët e tij të avancohen në fushën e gastronomisë.