Bashkatdhetarët nga Gjermania dhurojnë rreth 4 mijë euro për familjen Abazi

3.885 euro janë dhuruar për familjen Abazi nga Livoçi i Gjilanit nga një grup bashkatdhetarësh nga Gjermania.

Ky donacion erdhi pasi që familja Abazi humbi dy djemtë e saj pas tërmetit të 26 nëntorit që ndodhi në Shqipëri.

Të dy djemtë e familjes Abazi nuk kishin mundur t’i mbijetonin plagëve të marra pasi që kishin mbetur nën rrënojat e hotelit ku po qëndronin, hotel ky i rrëzuar pas tërmetit.

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme një grup i bashkatdhetarëve nga Kaiserslautern i Gjermanisë, së bashku me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, i kanë dorëzuar sot donacionin prej 3.885 euro familjes Abazi nga Livoçi i Epërm, e cila nga tërmeti në Shqipëri humbi dy djemtë e saj, Isën e Shemsedinin.

“Paraprakisht, kryetari Haziri i ka pritur në takim grupin e bashkatdhetarëve që e kryesoi Xhevat Berisha, të cilët i ka falënderuar për solidaritetin e madh për këtë familje. Haziri tha se është lajm i mirë që edhe pas mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata IV”, donacionet e njerëzve të vullnetit të mirë po vazhdojnë, për t’i dalë në mbështetje kësaj familje”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Gjithashtu në njoftim u përmend edhe se në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata IV”, e cila është mbajtur të shtunën, u premtuan mbi 100 mijë euro për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri

Kujtojmë se më 26 nëntor të këtij viti, Shqipëria u godit nga një tërmet i fuqishëm nga ku pati 51 viktima, qindra persona kërkuan ndihmë mjekësore e dhjetëra ndërtesa u shembën e pësuan dëmtime.

KALLXO.com vazhdimisht kishte raportuar në lidhje me tërmetin i cili kishte ndodhur në Shqipëri.