Bashar al-Assad - Foto: REL/AP

Bashar Al-Assad i Sirisë i ofron Putinit mbështetjen e tij

Bashar Al-Assad e ka telefonuar homologun e tij rus Vladimir Putin për t’i ofruar atij mbështetjen lidhur me veprimet e Moskës në Ukrainë, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e presidentit sirian.

“Gjatë telefonatës, ata folën për situatën në Ukrainë dhe operacionin special ushtarak nga Federata Ruse për ta mbrojtur popullsinë civile në rajonin e Donbasit”, thuhet në deklaratë.

“Shkëlqesia e tij [Assad] theksoi se Siria qëndron me Federatën Ruse, bazuar në bindjen e saj për korrektësinë e pozicionit të saj”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Presidentit Assad.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Britania e Madhe ka deklaruar se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që ta ndihmojë Kievin “në përballimin e agresionit rus”./ Al Jazeera