Foto: Lulzim Basha/Facebook

Basha: Zgjedhjet nuk kishin të bënin me demokracinë

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve e tregojnë fituese Partinë Socialiste të Edi Ramës.

Kurse, Basha tha se zgjedhjet nuk kishin të bënin me demokracinë, duke e akuzuar PS-në për korrupsion e vjedhje votash.

“Këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Dhjetëra-mijëra vota të pavlefshme. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës.  Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve, përdorën kriminelët dhe bandat”, tha mes tjerash ai.

Kreu i PD-së tha se nuk do të dorëzohen.

“Në jemi më të vendosur se kurrë, kushdo që mendon që do të dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne do ta vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë, deri në fitore, për demokracinë”, tha ai në një adresim para simpatizantëve të tij.

Kurse, kryesocialisti shqiptar Edi Rama ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Fitoi forca më e madhe demokratike qytetare, politike që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë për Shqipërinë – Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama në një paraqitje në sheshin “Skenderbej” të Tiranës.

Rama mes tjerash e ka thumbuar rivalin e tij politik, kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

“Lulzim Basha dhe Partia Demokratike bën fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se në të gjitha herët e tjera. Demokratët ishin kundërshtarë jo dhe aq të lehtë këtë herë”, tha Rama.