Sali Berisha dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Basha: Partia Demokratike ka rrëzuar kultin e individit  

Kryetari tashmë i kontestuar i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Lulzim Basha deklaroi se demokratët do të bashkohen më 18 dhjetor, në Kuvendin Kombëtar “për të zgjedhur sërish të ardhmen”.

“Demokratët do të bashkohen më 18 dhjetor për të zgjedhur sërish të ardhmen, e me qytetari do ofrojnë modelin e ndryshimit që shqiptarët kërkojnë, për t’i dhënë fund tranzicionit”, shkroi Basha në një postim në Facebook.

Ai tha se partia që ai drejtoi nga vitit 2013, rrëzoi “kultin e individit”.

“Ora më e errët është ajo pak përpara agimit. Kështu ishte 31 vite më parë, kur Partia Demokratike e Shqipërisë u themelua për të ndarë të ardhmen nga e shkuara, për të sjellë lirinë, për të rrëzuar kultin e individit dhe për ta ribashkuar Shqipërinë me Perëndimin. Kështu është sot. Prandaj ditët më të mira i kemi përpara”, tha Basha.

Këto komente të Bashës vinë në kohën kur ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njëherësh ish-kryetar i PD-së, synon ta shkarkojë atë nga çdo pozitë e partisë, më 18 dhjetor. Në këtë datë do të zhvillohet një kuvend i partisë, i organizuar nga Basha.

Kriza në Partinë Demokratike, tërhoqi edhe vëmendjen e pranisë ndërkombëtare në Shqipëri. Ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Italisë do të takohen gjatë ditës me Lulzim Bashën.

Përplasjet e ashpra të dy figurave më të rëndësishme të opozitës në Shqipëri u paraprinë nga disa tubime që mblodhën mijëra simpatizantë të ish-kryetarit dhe themeluesit të Patrisë Demokratike, Sali Berisha, përpjekje për t’u rikthyer në skenën politike pas shpalljes si person non-grata nga administrate aktuale amerikane.

Këto tubime kulmuan me një miting në Tiranë gjatë fundjavës prej nga Berisha synon shkarkimin e Bashës dhe rikthimin e tij si kryetar i partisë, përkundër paralajmërimeve të shumta të zyrtarëve amerikanë që një veprim i tillë do të acaronte marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Partinë Demokratike dhe Shqipërinë.

Një ditë më parë, nga selia e Partisë Demokratike, Berisha njoftoi se partia do të thërrasë anëtarët e saj të votojnë në një referendum më 18 dhjetor për shkarkimin e Bashës, të cilin e akuzoi për “krim elektoral” në përpjekje për ta manipuluar referendumin për shkarkimin e tij.

“Rithemelimi i Partisë Demokratike është jetik për Shqipërinë”, tha Berisha gjatë qëndrimit në selinë e partisë, ku bashkëpunëtorët dhe simpatizantët e tij akuzuan se ishin kërcënuar nga prania e njerëzve të armatosur brenda selisë së kësaj partie.

Basha, reagoi me tone të ashpra ndaj Berishës, duke i kujtuar atij të kaluarën si ish-anëtar i Partisë Komuniste para vitit ’90-të, apo dhe trazirat e vitit 1997.

“Sot është kohë të dënojmë me ashpërsinë më të madhe aktin e një njeriu marrëzia e të cilit nuk ka fund në përpjekjen për karshillik ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në egoizmin për të marrë peng Partinë Demokratike dhe demokratët, dhe për të mbivendosur vullnetin e tij, hallet e tij personale, interesat e tij dhe familjes së tij, familjes tonë të madhe politike”, deklaroi Basha.

Përplasjet brenda Partisë Demokratike, filluan qysh në muajin shtator kur kreu aktual i kësaj partie, Lulzim Basha u rreshtua në mbështetje të kërkesave të administratës amerikane për ta larguar Berishën nga grupi parlamentar i partisë.

Më pas Berisha paditi, Sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken në një gjykatë në Francë për t’i kontestuar akuzat për korrupsion që përbëjnë bazën e veprimit amerikan për ta shpallur atë person të padëshirueshëm.

Berisha vazhdoi me akuza ndaj administratës amerikane duke theksuar se nuk do të lejojë që zyrtarët amerikanë të sillen si guvernatorë në Shqipëri.

Në maj, Departamenti amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në territorin amerikan atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në, siç është thënë korrupsion të gjerë./REL