Basha: Është një fitore e qartë për Aleancën për Ndryshim

Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, ka falenderuar të gjithë qytetarët shqiptarë “që zgjodhën ndryshimin”.

Në një paraqitje para përkrahësve pas përfundimit të procesit zgjedhor, Basha theksoi se është një fitore e qartë për Aleancën për Ndryshim”.

“Faleminderit shqiptarë që zgjodhën ndryshimin. Kjo është fitore e qartë për popullin shqiptar. Është një fitore e qartë për Aleancën për Ndryshim. Vullneti i popullit është në kutitë e votimit. Unë kam besim të plotë se numëruesit do ta përmbyllin këtë proces me përgjegjësi e durim”, tha Basha.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipëri, procesi i numërimit të votave do të përfundojë pas 48 orësh.

Sipas një “exit-poll”-i të bërë nga Kompania Ubo Consulting dhe SYRI TV, PS ka marrë  44. 2 për qind ose 65 deputetë, PD ka marrë 40.4 për qind të votave, ose  63 deputetë dhe LS 9.3 ose 10 deputetë.

Në Shqipëri të drejtë vote kanë pasur 3.588.869 qytetarë shqiptarë për të zgjedhur 140 deputetët e Kuvendit të ri dhe qeverinë që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme.

Në garë janë 13 parti dhe në disa qarqe disa kandidatë të pavarur.

Deri në orën 18:00, sipas KQZ-së në nivel vendi kanë dalë në zgjedhje 45.45 për qind e votuesve.