Women farmers are researching the soil.

Barrierat që i pengojnë gratë në bujqësi

Me urdhrin “Shotë Galica”, para dy viteve ishte dekoruar Fahrije Hoti dhe shtatë gra të tjera, të cilat kanë dhënë kontribut në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.

Fahrije Hoti së bashku me koleget e saja njihet për suksesin në fushën e bujqësisë, për ajvarin që ato krijojë – e jo vetëm, e edhe për historinë se si e nisën biznesin e tyre.

Historia e Fahrijes tregon se ajo kaloi në sfida e sfida për të arritur aty ku është sot, e me sfida pothuajse të njëjta gratë fermere në Kosovës vazhdojnë të përballen edhe sot.

Muradije Shehu nga organizata jo qeveritare “Gruaja Fermere” tregon se gratë në bujqësi diskriminohen pasi ende është prezenca e mendimeve tradicionale që gratë të mos e kenë të drejtën e trashëgimisë dhe të drejtën e subvencioneve.

Mendimi i Shehut mbështetet edhe nga statistikat zyrtare që tregojnë se gratë në Kosovë ende kanë probleme me trashëgimi të pronës.

Përpos kësaj, shkollimi i pamjaftueshëm i grave, problemet në aplikim për subvencione apo grante, qasja në transport, mungesa e trajnimeve në zona rurale, e të tjera, bëjnë që puna e grave në bujqësi të mos vlerësohet mjaftueshëm.

Sfidat kryesore për gruan fermere

Emine Kelmendi nga Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në Ministrinë e Bujqësisë tregon se gratë në bujqësi ballafaqohen me sfida siç janë mungesa e pronësisë, qasja e pa mjaftueshme në financa, kreditë e larta, e në disa raste mungesa e arsimimit.

Për sfidat që kanë gratë fermere në Kosovë ka folur edhe Muradije Shehu.

Shehu e cila është koordinatore e projekteve në organizatën jo qeveritare “Gruaja Fermere” ka thënë se në mesin e problemeve të tjera, marketingu, importi, mungesa e agronomëve në teren, mungesa  trajnimeve në tema të adekuate siç janë planet e biznesit, kultivimi cilësor e të tjera janë disa nga sfidat e tjera me të cilat përballen fermerët në vend.

Ajo pohon se në fushën e bujqësisë ka diskriminim ndaj grave.

“Ka diskriminim pasi ende është prezenca e mendimeve tradicionale që gratë të mos e kenë të drejtës e trashëgimisë dhe të drejtën e subvencioneve” – thotë ajo, teksa shton se këtë diskriminim e sheh tek ndarja e buxhetit për gra.

Gratë, për dallim nga burrat kanë dyfish më shumë gjasa që të jenë pjesë e punësimit joformal, sidomos në biznese familjare në bujqësi – thotë Albana Isufi nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Ajo tregon se diçka e tillë minon edhe qasjes e mundësin e grave për qasje në kapital, tokë por edhe për të marrë pjesë në trajnime e për t’u angazhuar në mënyrë profesionale për ngritje të kapaciteteve.

“Punët e shtëpisë, kujdesi për fëmijët dhe anëtarët e familjes – barrë kjo e cila ndikon që gratë të kenë më pak kohë për pushim, ose për t’u angazhuar në aktivitete edukative ose të rritjes së biznesit” – shton Isufi teksa fletë për sfidat që kanë gratë në bujqësi.

Rrëfimi i Remzijes, gruas e cila hapi biznes e vetme

Remzije Berisha, nga Shoqata e Grave Fermere në Kosovë, në emisionin #KallxoPernime kishte rrëfyer sfidat e saj si nënë e vetme e cila ka arritur të hap biznesin e saj privat.

Berisha kishte thënë se ka qenë vetë nënë, vetë baba për fëmijët e saj.

Me ndihmën e një organizate ajo filloi rrugëtimin e saj në biznes, ku sot ajo ka fabrikën që bën përpunimin dhe konservimin e pemëve dhe perimeve.

“Organizata Women for Women, më ka ndihmuar me trajnimet e saj më ka ndihmuar që të aftësohem duke e përfunduar shkollën profesionale, ndërsa në vitin 2010 e kemi regjistruar shoqatën e grave fermere “Alba”, që vepron në Prugovc të Prishtinës” – ishte shprehur Berisha.

Ajo ka treguar edhe për çështjen e pronës ku sot e ka biznesin e saj.

“Prona e bashkëshortit nuk ka qenë në emër të tij hiç por në të dikujt krejt tjetër e axha i bashkëshortit e ka marr përsipër këtë që jam shumë falënderuese sepse pronën e ka qit në emër të tij” –  kishte rrëfyer Selvije Gashi nga Lipjani, e cila ka biznis të vetin.

Gashi pati shtuar se në vitin 2018 derisa kanë përfunduar procedurat e pronës, e ka humbur një projekt që e kishte për biznesin e saj.

“M`u dashke patjetër me marr lejen e ndërtimit dhe shkuan një vit dhe u dasht me u tërheq, por pata fatin prapë me komunën e Prishtinës që tash e kemi fabrikën e përpunimit dhe konservimit të pemëve dhe perimeve”, shton më tej Gashi.

Kjo shoqatë që udhëhiqet nga Gashi numëron 75 anëtare.

Produktet e Gashit, shiten edhe nëpër marketet brenda Kosovës por një pjesë e tyre shkon edhe në Evropë.

‘Piedestali’ u takon prapë burrave

Që gruaja në bujqësi është e diskriminuar e thonë shumica e organizatave jo qeveritare që merren me këtë pjesë, e diçka e tillë dëshmohet edhe nga statistikat, përderisa rregullat e granteve dhe subvencioneve janë të atilla që një grua aplikuese merr më shumë pikë sesa një burrë.

Ministria e Bujqësisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se përgjatë viteve 2020 dhe 2021 ka ndarë gjithsej 343 grante për fermerët e Kosovës. Vlera totale e këtyre granteve është afër 13 milionë euro.

Nga kjo shumë, afër 5 milionë i ndanë për gratë, e pjesa tjetër u nda për burrat. Pra, përgjatë këtyre dy viteve, 130 grante u ndanë për gratë fermere, ndërsa pjesa tjetër e granteve shkoi për burrat.

Numri i granteve, sipas statistikave që ka ndarë MBPZHR-ja, është rritur në 2022-ën.

Gjatë vitit që lamë pas janë gjithsej 495 grante që u ndanë për dy gjinitë.

Edhe gjatë këtij viti, numri i përfituesve burra është më shumë se dy herë më i lartë sesa ai i grave.

Në 2022-ën, 350 grante u fituan nga burrat, 145 nga gratë, e vlera totale e kap shifrën prej 24 milionë eurove.

Dallimi i madh në përfitim për gratë e burrat në bujqësi vërehet edhe tek pagesat direkte që Ministria e Bujqësisë ndanë për fermerët.

Pagesat në fjalë ndahen për sektor e nënsektor të ndryshëm të bujqësisë.

Për të qenë përfitues i këtyre pagesave, për secilin sektor apo nënsektor në bujqësi ka kritere specifike.

Për katër vite radhazi, 2019-2022 nga përqindja totale e përfituesve në asnjërin vit gratë fermere nuk arritën të kalojnë 5 për qindëshin në krahasim me fermerët burra.

Në vitin që lam pas, nga më shumë se 28 mijë përfitues të pagesave direkte që u ndanë nga Ministria e Bujqësisë, vetëm 1 mijë e 265, apo 4.5% e përfituesve i takonin grave/vajzave.

E një situatë e njëjtë ka qenë edhe në 2019, 2020 e  2021-ën, ku në asnjërin prej këtyre viteve, numri i fermereve gra përfituese nuk ka kaluar 1 mijë e 500, përderisa numri i përfituesve burra asnjëherë nuk ka qenë më pak se 20 mijë të tillë.

Si dhe ku trajtohen palët që pretendojnë se janë të diskriminuar në bujqësi?

Numri i grave që merren me bujqësi ndër vite ka ndryshuar – kështu vlerëson Kelmendi nga Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në Ministrinë e Bujqësisë.

Ajo thotë se kjo ministri është e përkushtuar në fuqizimin ekonomik të grave, madje ajo thotë se vet ligji për bujqësi dhe zhvillim rural rregullon zbatimin e politikave kombëtare si për burra ashtu edhe për gra.

Sipas Kelmendit Ministria e Bujqësisë vazhdon të mbetet e përkushtuar gjithnjë në zbatimin e objektiva të saj në zbatimin e programeve mbështetëse, digjitalizimin e sektorëve, avancimin e teknologjive, bashkëpunimin me palët e interesit.

E gjithë kjo punë sipas saj bëhet me qëllim që fermerit apo fermeres t`i ofrohet shërbim cilësor, korrekt dhe i duhur, pa diskriminim për të qenë në hap me zhvillimet e fundit.

“Kjo punë bëhet duke dëshiruar që të kemi përfaqësim cilësor në harmoni me gjitha standardet në tregjet vendore dhe të jashtme” – thotë Kelmendi.

Tutje Kelmendi tregoi se në njësinë ku punon ajo marrin ankesa nga palët që pretendojnë se janë diskriminuar, e sipas saj kur një palë pretendon se është diskriminuar merren gjitha veprimet sipas ligjeve në fuqi dhe sipas rregullores.

Përpos Institucionit të Avokatit të Popullit, i cili është një mekanizëm shtetëror i pavarur për promovimin e barazisë, monitorim dhe mbështetje të trajtimit të barabartë pa diskriminim në bazat e mbrojtura me ligj, Kelmendi tregon se edhe brenda njësisë ku ajo punon merren disa hapa.

Kelmendi tregoi se viktimat e diskriminimit munden të kërkojnë që mbi të drejtat e tyre dhe kënaqshmërinë të vendoset në procedurën e duhur gjyqësore – proces gjyqësorë,  penal dhe kundërvajtës – pranë gjykatës kompetente.

Kjo padi për mbrojtje nga diskriminimi mundet të paraqitet më së largu pesë vite nga dita kur i dëmtuar ka marrë vesh për shkeljen.

Ajo tregon se pas përcaktimit të diskriminimit, gjykata i ka disa opsione mbi të cilat mundet të vendosë se si të ‘paguhet’ diskriminimi i bërë ndaj viktimës.

Kelmendi thotë se procedurat gjyqësore të rasteve të tilla të diskriminimit duhet të trajtohen në procedurë urgjente.

“Rastet e diskriminimit të cilat prekin gupet e personave se munden të iniciohen përmes veprimit gruporë në emër të tyre nga ana e organizatës joqeveritare apo Avokatit të Popullit, në raste të tilla nuk i nevojitet pëlqimi i pjesëmarrësit të grupit” – shton Kelmendi.

Kosova ‘lidere’ e diskriminimit gjinor në punësim 

Vetëm 17 për qind e ekonomisë bujqësore zotohet nga gratë – kështu thuhet në një hulumtim të thellë të autorëve nga pesë vendet e Ballkanit me titull ‘(Pa) fuqia ekonomike e grave në tregun e Ballkanit Perëndimor’, që u publikua në dhjetor të 2022- ës.

Ky raporton identifikoi sfidat e secilit shtet në punësimin e grave e tregon se diskriminimi gjinor është sidomos në sektorët kyç të ekonomisë, siç është bujqësia.

Raporti në fjalë e rendit Kosovën si ‘lider’ në diskriminim e grave në punësim, ku thuhet se vetëm 17 për qind e grave me mundësi pune janë të punësuara në Kosovë, ndërsa të dhënat tjera tregojnë se po këto gra janë të nën-paguara në krahasim me burrat.

Në 2022, Demokracia për Zhvillim (D4D) nga një anketë që realizoi në më shumë se 1 mijë respodentë solli në pah se gratë në zonat rurale kanë më pak gjasa të punësohen

Përderisa, një anketë e MCC LFTUS me 8 mijë e 554 ekonomi familjare zbuloi se gratë janë fuqi punëtore e rëndësishme për bujqësinë.

Raporti i D4D-së tregon se në vitin 2020, bujqësia dhe pylltaria në Kosovë punësonin vetëm 16 mijë 900 individë, nga të cilët vetëm 2 mijë e 700 ishin gra.

Mirëpo, raporti bën me dije se të dhënat në fjalë duhet të shihen me kujdes, meqë mund të jenë nënvlerësuar për shkak të pamundësisë për të kapur punën e papaguar familjare dhe punën jo-formale.

Kërkesat ndaj shtetit për fermerët e Kosovës

Shehu nga OJQ ‘Gruaja Fermere’ thotë se në bujqësi gratë nuk janë të përkrahura mjaftueshëm nëse nuk kanë biznes të regjistruar apo toka nuk është në emrin e tyre, madje një problem tjetër që ajo përmend është edhe mosha.

Sipas Shehut, Qeveria e Kosovës duhet të ndajë buxhet të veçantë edhe për gra të cilat merren me bujqësi dhe prodhime bujqësore, por që nuk kanë biznes të regjistruar.

“Në shpalljen e granteve po ceket për çdo grant duhet të kenë biznes të regjistruar dhe kjo është shumë gabim” – thotë Shehu.

Ajo tutje shton se gabim tjetër sipas saj në shpalljen e këtyre granteve është edhe caktimi i moshës duke diskriminuar gratë e vjetra për të aplikuar.

Gratë fermere në zona rurale e urbane me probleme të njëjta

Në Rahovec, komunë kjo që është e njohur për vreshtat që ka e që në kohën e rrushit në tokën e bujqësore shumë shpesh sheh gra duke punuar, problemet e këtyre grave mbesin të njëjta me ato që kanë gratë fermere të kryeqytetit.

“Sfidat që hasin më së shumti janë në pronësi të tokave bujqësore” – thotë drejtori i Bujqësisë në komunën e Prishtinës, Plator Gërdovci për fermeret e kryeqytetit.

Situatë e njëjtë, e me problemin kryesor të njëjtin kanë edhe gratë e qytetit të Rahovecit, sipas Shehu nga organizata jo qeveritare “Gruaja Fermere”.

Ajo thotë se 30 për qind e grave në Rahovec merren me bujqësi, përderisa tregon se kohëve të fundit ka vërejtur që ka më pak përkrahje për këto gra.

Shehu e kujton kohën e pas luftës, për të cilën kohë thotë se donator të shumtë i kanë kontaktuar e kanë punuar me to.

“Gratë pas luftës janë përkrahur nga donatorët, ndërsa tash shumë pak përkrahen “ – thotë Shehu.

Komunat në Kosovë, ashtu si edhe ministria për gratë që apkikojnë për grante e subvencione në bujqësi kanë përaparësi në pikë, ato marrin më shumë pikë pasi që i takojnë gjinisë femrore. Kjo bëhet me qëllim që të fuqizohen gratë që merren me bujqësi në Kosovë.

Për gratë nga zonat rurale që merren me bujqësi një koment pati edhe Isufi nga Rrjeti i Grave.

Ajo tha se përgjithësisht, gratë në zona rurale mund të kenë nivele më të ulëta të edukimit, më pak kohë për t’u angazhuar në biznes, më shumë vështirësi dhe qasja në pajisje teknologjike.

Këto sipas saj ndikojnë edhe në aplikimin për grante ose subvencione.

“Shpeshherë, në mungesë të qasjes në informacione, mos informimit të duhur mbi mënyrat e aplikimit, dokumentacionit të nevojshëm dhe mundësive reale për të përfituar, gratë në zona rurale nuk aplikojnë ose mbesin pa përfituar nga grantet dhe subvencionet që ndahen për bujqësi” – tha Isufi.

Në anën tjetër, drejtori i Bujqësisë në kryeqytet thotë se komuna i përkrahë gratë që merren me bujqësi.

Kjo sipas tij bëhet duke organizuar seminare, duke pasur pagesa direkte si dhe me mekanizma të ndryshme.

“Vlen të theksohet se në çdo thirrje të hapur nga Drejtoria e Bujqësisë kanë përparësi gratë” – thotë drejtori.

Ai tregon se në thirrjet publike të bëra nga Drejtoria e Bujqësisë gjatë vitit 2022, kanë përfituar 152 gra subvencione nga Komuna e Prishtinës.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.