Barnat në korridorin e Barnatores Qendrore në QKUK.
Barnatorja Qendrore në QKUK me hapësira të pamjaftueshme e kushte joadekuate
Për shkak të hapësirës së pamjaftueshme e kushteve joadekutate, barnat në Barnatoren Qendrore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë duke u ruajtur edhe nëpër korridore.
E vendosur në bodrumin e objektit të Klinikës së Gjinekologjisë që daton prej viteve të 80-ta, kjo barnatore e improvizuar ka një hapësirë prej 2 mijë e 416 metrave katrorë.
“Fatkeqësisht (kushtet) nuk janë të përshtatshme sepse ka hapësira të pamjaftueshme, duke marrë parasysh se kemi shumë produkte medicinale që ruhen këtu, barna, material medicinal dhe janë hapësira të pamjaftueshme për gjithë këtë sasi që e kemi” – thotë drejtoresha e Barnatores, Dardane Mehaj.
Ajo thotë se ky objekt duhet të ndërrohet urgjentisht, derisa tregon se procedurat për ndërtimin e një objekti të ri veçse kanë filluar.
Drejtoresha e Barnatores në QKUK, Dardane Mehaj.
Pavarësisht se hapësirat janë të pamjaftueshme, drejtoresha insiston se barnat ruhen sipas standardeve. Që barnat të jenë të sigurta dhe efikase, ato duhet të ruhen në temperaturë, ndriçim dhe lagështi të caktuar, varësisht llojit të tyre.
“Standardet e ruajtjes së barnave, ne obligohemi me i mbajt gjithsesi, për arsye se ne kemi vizita të shpeshta edhe prej Inspektoratit Farmaceutik. Nuk guxojmë me i rujtë barnat që s’janë konform kushteve të parapara. Lagështia, temperatura, ato që duhet ë ruhen në frigorifer ose në dhomën e ftohtë, konform lagështisë, ajrit, dritës” – thotë ajo.
Kur ka raste që klima nuk funksionon, e regjistrohet temperaturë më e lartë se ç’duhet, Mehaj thotë se i lajmërojnë shërbimet teknike dhe përgjigjet e tyre janë të menjëherëshme. “Ndoshta duke e ditë që barnat janë esenciale” – thotë Mehaj.
Shefja e barnatores, që mban këtë pozitë për rreth një vit e gjysmë, tregon se kur kompanitë njoftojnë se do të sjellin barna, punëtorët i kap panika, se ku do t’i vendosin ato.
Në këtë barnatore, zënë vend edhe një sasi e konsiderueshme e barnave pa afat. Barnat pa afat janë grumbulluar aty që nga viti 2010.
“Kemi një sasi të konsiderueshme që kanë mbetur prej të kaluarës. Kryesisht prej donacioneve, prej kohës së pandemisë. Atëherë është çrregullu komplet sistemi dhe kemi trashëgu disa” – tha Mehaj, e cila shton se numri i barnave pa afat brenda vitit është më i vogël se në të kaluarën.
Asgjësimi i barnave, siç thotë Mehaj është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe shton se një grup punues është angazhuar për të krijuar një udhërrëfyes për këtë procedurë.
“Është punu në Ministrinë e Shëndetësisë, në 2022 është formu një grup, e ka mbështetur edhe Gizi gjerman, i kanë bo procedurat se si duhet me u asgjësu, se është kompleske. Nëse s’gaboj është në përfundim e sipër dhe ne i presim” – tha ajo.
E pyetur se a ka një datë konkrete se kur do të ndodhë kjo, Mehaj tha se përgjigja e Ministrisë ka qenë “shumë shpejt”.
KALLXO.com u interesua edhe për hapësirat ku ruhen barnat pa afat dhe pyeti drejtoreshën nëse ruajtja e tyre në një ambient ndikon në kontaminimin e ajrit për barnat me afat. Por, ajo thotë se për barnat e skaduara kanë dhoma të veçanta.
“Si këtu, si kudo duhet me qenë hapësirë e veçantë ku ruhen barnat pa afat. Për shkak se nuk guxojnë me ndejt në hapësira të përbashkëta me barnat tjera që kanë afat. Ne i kemi të rujtuna në dhoma të tjera që janë të ndane” – u shpreh ajo.
Ekipi i KALLXO.com pa njërën prej këtyre dhomave, por kërkoi që të vizitojë edhe një hapësirë tjetër ku ruhen barnat pa afat, por kjo nuk është mundësuar me arsyetimin se punëtori që e ka çelësin e asaj dhome është në pushim.
Në raste të reshjeve të shiut, ka ndodhur që brenda hapësirave të depërtojë edhe uji brenda. Megjithatë, Mehaj thotë se barnat s’janë dëmtuar, pasi që ato nuk i mbajnë në nivel të tokës, por i mbajnë mbi paleta.
“Ka pas rrjedhje jo një herë, disa herë, por fatmirësisht nuk kemi pas dëmtime në barna. E kemi lajmëru menjëherë të drejtoria e përgjithshme, i kanë thirr ekipet e shpëtimit… Fatmirësisht reagimi i shpejtë, menjëherë është sanu gjendja. Mirëpo, po ka pas rrjedhje dhe kemi herë pas here” – shtoi ajo.
Kjo duket të ketë lënë pasoja në muret dhe tavanin e objektit.
Dardane Mehaj shpjegon se mënyra e kushtet e ruajtjes së barnave përcaktohen me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale si dhe me procedura standarde operative, të cilat i krijojnë vetë.
Barnatorja Qendrore furnizon të gjitha klinikat, spitalet rajonale e njësitë e tjera përbërëse të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK).