Barnat për COVID-19 me kosto të lartë, flet infektologu Salih Ahmeti (VIDEO)

 

Pacientët të cilët janë duke u trajtuar për COVID-19 nëpër klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë duke u ballafaquar edhe me vështirësitë e sigurimit të barnave për shkak të kostos së lartë të tyre.

Këtë e pranon edhe infektologu i Klinikës Infektive në QKUK, Salih Ahmeti, në një bisedë për KALLXO.com.

“Në përgjithësi, terapitë antivirale janë shumë të kushtueshme, disa më pak disa më shumë po mendoj edhe për infeksione të tjera virale por edhe për coronavirusin. Mjekimi i infeksionit të COVID-19 është një mjekim trajtim shumë kompleks, meqenëse COVID-19 nuk është sëmundje lokale që prek vetëm sistemin respirator, por ajo është një sëmundje multisistemike ku në radhë të parë prek mushkëritë”, thotë Ahmeti.

Ai shtoi se ky virus prek edhe sistemin kardiak, sistemin nervor, sistemin vaskular, veshkat, mëlçitë dhe në krahas terapisë për COVID, mjekët duhet të trajtojnë edhe komplikimet e mundshme.

“Nuk është me rëndësi vetëm dhënia e cilido bar, por është me rëndësi edhe koha e dhënies së tij, dozimi i dhënies së tij dhe përcjellja permanente. Nuk ka ende sot askund në botë një bar që bën mrekulli me rastin e COVID-it që do të vendosë për jetën ose vdekjen e pacienti, kjo do të thotë se nuk ekziston një bar i cili nëse i jepet (pacientit) siguron një shërim të plotë”, tregoi ai.

Sipas Infektologut, java e dytë është java më kritike për pacientët e infektuar nga coronavirusi, pasi që virusi në këto dy javë fillon të ashpërsohet.

“Janë dy momente të rëndësishme në trajtimin e këtyre të sëmurëve: java e parë dhe java e dytë e sëmundjes. Java e dytë e sëmundjes pra duke filluar nga dita e tetë është java kur virusi jep ndryshimet me të ashpra të tij, kur sëmundja manifestohet me ashpërsinë më të madhe të mundshme të tij”, u shpreh tutje Salih Ahmeti.