Barnat në Kosovë Nuk Asgjësohen prej 5 Vjetësh

Të gjitha produktet farmaceutike pa afat regjistrohen në barnatoren qendrore të QKUK-së apo barnatoret spitalore, me të gjitha të dhënat e pastaj futen në depon për grumbullimin e barnave pa afat, kjo për shkak se nuk ekziston një kompani që do të mund të bëjë asgjësimin e tyre.

Shpend Fazliu zëdhënës i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës tha për KALLXO.com se këto barna janë të izoluara në depo të veçantë.

“Normalisht duhet të ekzistojë një kompani e specializuar për asgjësimin e këtyre barnave dhe në mungesë të një kompanie si kërkohet me udhëzimet administrative në fuqi këto barna të katër viteve të fundit vazhdojnë të qëndrojnë të izoluara të Barnatores Qendrore të QKUK-së”, tha Fazliu për Gazetën JNK.

Ai shtoi se barnatorja e QKUK ka kërkuar nga spitalet që të bëjnë evidentimin e të gjitha barnave me afat të skaduar dhe ato të izolohen deri në momentin kur Ministria e Shëndetësisë do të kontraktojë një kompanitë të specializuar për asgjësimin e tyre.

Sipas Fazliut, për herë të fundit në vitin 2011 është bërë një asgjësim i barnave ndërsa më pas janë mbledhur barnat me afate të skaduara në depo të QKUK-së.

Që atëherë janë evidentuar 420 lloje produktesh farmaceutike-barna me afat të skaduar, ndër to edhe materiali medicinal, i cili është asgjësuar në insineratorin e QKUK

Në 2012 janë evidentuar 544 lloje të produkteve farmaceutike, 12 lloje të filmave me sasi të konsiderueshme, dhe materiali medicinal.

Ndërsa në vitin 2013 rreth 236 lloje produktesh farmaceutike-barna me afat të skaduar dhe materiali medicinal i cili asgjësohet në insinerator, QKUK

Sipas të dhënave nga QKUK, në 2014-ën kanë qenë 90 produkte farmaceutike me afat të skaduar nga të cilat 80 kanë skaduar në gjashtëmujorin e parë të vitit dhe vetëm 10 produkte farmaceutike-barna kanë skaduar në muajin gusht.

Mirëmenaxhim nga halli

Presioni mbi institucionet shëndetësore për stoqet në rritje të barnave të skaduara, ka pasur edhe një efekt anësor pozitiv, duke rritur mirëmenaxhimin dhe eficiencën në përdorimin e barnave që spitalet e ndryshme publike disponojnë.

Në vitin 2015 rezultuan fare pak barna pa afat, falë bashkëpunimit dhe këmbimit të stoqeve mes QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme, ku rrjedhimisht, shumë pak produkte kanë skaduar në reparte.

Sipas tij, është gjetur një formë për të zvogëluar numrin e barnave me afat të skaduar.

“Ka ekzistuar mundësia e koordinimit në mes të spitaleve dhe QKUK-së p.sh kur ka munguar ndonjë produkt i caktuar në QKUK e kemi huazuar nga spitalet e përgjithshme në mënyrë që atij produkt të mos i afrohet afati i skadencës dhe të mos shkoj huq por të përdoret për pacientët” tha Fazliu.

Si rrjedhojë, këmbimi i stoqeve farmaceutike mes qendrave publike spitalore në Kosovë, jo vetëm që ka zvogëluar grumbullimin e barnave të skaduara, por ka ulur edhe kostot për blerje barnash të reja, përmes rishpërndarjes së atyre ekzistuese.

Fazliu thotë se gjendje e njëjtë është në të gjitha spitalet rajonale.

“Nëse flasim për QKUK-në është si institucion më i madh krahasuar me spitalet e përgjithshme mirëpo në bazë të informacioneve të përgjithshme që kemi nga barnatorja qendrore e SHSKUK-së [Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës] që është në koordinim me spitalet e përgjithshme edhe atje është duke u bërë dhe është bërë evidentimi i barnave me afat të skaduar”, tha Fazliu.

Ai tha se kjo sasi është më e vogël për shkak se numri i pacientëve që trajtohen brenda atyre spitaleve është më i vogël, por gjithsesi ka edhe në spitalet e përgjithshme.

Në kërkim të zgjidhjes

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se janë ndërmarrë hapa për adresimin e çështjes së mbetjeve medicinale, përfshirë edhe barnat që u skadon afati si mbetje me substanca aktive dhe më të rrezikshme.

“Është ngritur e diskutuar çështja e asgjësimit të barnave me afat të skaduar dhe rekomandimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është që përderisa të licencohet ndonjë operator apo të bëhet ndonjë zgjidhje tjetër, ato barna të ruhen nga Ministria e Shëndetësisë, të mos jenë të qasshme për publikun dhe të asgjësohen, kur për këtë proces të krijohen kushtet”, tha Hoti.

Hoti tha se asgjësimi i mbetjeve medicinale që nuk kanë substanca aktive, bëhet në mënyrë të vazhduar në impiantet që i kanë spitalet, në pajtim me ligjin.

Ndërsa për ato me substanca aktive, ministria është duke ju përmbajtur rekomandimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që ato të ruhen derisa të bëhet zgjidhje për to, shpjegoi Hoti.

“Sigurisht, në momentin që ndonjë operator do të licencohej për të ushtruar një veprimtari të tillë, do të shprehet edhe interesi. Nuk mund ta themi nëse zgjidhja do të jetë e shpejtë apo jo”, tha ai.

Sipas Hotit, ajo që për momentin po bëhet, është që përmes planifikimit sa më të drejtë, sasia e barnave pa afat të jetë sa më e vogël, ndonëse jo çdo herë barnat e planifikuara edhe mund të shpenzohen në tërësi.

Ai tha se ministria sipas përgjegjësive ligjore, themelon dhe licencon institucione që ofrojnë shërbime shëndetësore, jo kompani publike, ndërsa në sektorin privat ende nuk ka të licencuar ndonjë operator që ofron shërbime të këtij profil

Enver Tahiri nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk dha shumë shpresa se mund të ndodhë diçka në drejtim të përmirësimit të procesit të asgjësimit të barnave.

“MMPH është në proces të bashkëpunimit me Komisionin Evropian lidhur me sigurimin e një projekti për magazinimin e mbeturinave te rrezikshme, e jo asgjësimin e barnave me afat të skaduar dhe mbetjeve të tjera të rrezikshme”, tha ai.

Një përvojë të keqe Ministria e Shëndetësisë e ka pasur atëherë kur pati probleme me një kompani që kërkonte të drejtën për të bërë klasifikimin dhe shkatërrimin e barnave me afat të skaduar.

Çështja përfundoi në gjykatë.

http://kallxo.com/tolaj-ne-gjykate-per-400-mije-euro/