Michelle dhe Barack Obama - Foto REL/AFP

Barack dhe Michelle Obama thyejnë heshtjen, mbështesin Harrisin

Barack Obama ka shprehur mbështetjen që zëvendëspresidentja Kamala Harris të jetë kandidate demokrate për zgjedhjet presidenciale, duke i dhënë fund heshtjes disaditëshe nëse do ta përkrahte Harrisin që deri tani ka marrë përkrahjen e shumicës së figurave të larta të demokratëve, shkruan BBC.

Ish-presidenti Obama dhe ish-Zonja e Parë, Michelle Obama, kanë thënë në një deklaratë të përbashkët se besojnë se Harris ka “vizionin, karakterin dhe fuqinë që e kërkon ky moment kritik”.

Zoti Obama u raportua se ishte në mesin e më shumë se 100 figurave të larta demokrate me të cilët ka folur Harris pasi presidenti Joe Biden njoftoi të dielën se po tërhiqej nga gara e rizgjedhjes.

Në një deklaratë atëherë, zoti Obama përkrahu tërheqjen e Bidenit, por nuk nxori asnjë fjalë për Harrisin. Zëvendëspresidentja amerikane raportohet se ka siguruar votat e shumicës së delegatëve demokratë, duke trasuar rrugën që të bëhet kandidate zyrtare e partisë në konventën partiake të gushtit.

Obamat kanë thënë të premten në komunikatë se ata “nuk kanë si të mos jenë të mahnitur që do ta mbështesin” Harrisin.

“Ne pajtohemi me presidentin Biden”, ka thënë çifti në deklaratën e shkruar, “se zgjedhja e Kamalas ishte ndër vendimet e tij më të mira ndonjëherë”. Ata kanë shprehur besimin e fortë se Harrisi nuk do t’i dëshpërojë dhe se do ta fitojë garën kundër kandidatit republikan, ish-presidentit Donald Trump.

Obamat kanë spikatur sukseset e Harrisit si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë, si senatore amerikane dhe në fund si zvëndëspresidente.

“Por Kamala mund të ofrojë edhe shumë më shumë”, thuhet në komunikatë. “Ajo ka vizionin, karakterin dhe fuqinë që janë të nevojshme në këtë moment kritik”.

Ata kanë thënë se nuk e kanë asnjë fije dyshimi se Harrisi i ka të gjithë zotësitë që i kërkohen për t’i fituar zgjedhjet e nëntorit dhe për të zbatuar kërkesat e popullit amerikan. “Në kohën kur piketat kurrë nuk kanë qenë më të larta, ajo na bën të besojmë në shpresë”.

Deklarata e shkruar është shoqëruar edhe me një video të Harrisit, duke folur në telefon me Obamat, të cilët i shprehin përkrahjen e tyre të plotë.

“O perëndi”, thekson zëvendëspresidentja në video. “Michelle, Barack, kjo ka shumë rëndësi për mua”.

Harris ka mbajtur një numër aktivitetesh të fushatës në mbarë Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve pas vendimit të Bidenit për tërheqje. Të enjten, ajo foli edhe para Federatës Amerikane të Mësimdhënësve në Hjuston.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com