Arta Luzha, banore në Lagjen Dardania, Foto: KALLXO.com

Banorja e lagjes 'Dardania' ankohet se komshiu ia ndaloi qasjen në kulmin e ndërtesës kolektive

Arta Luzha- Osmani, banore në një banesë kolektive në lagjen “Dardania” në Prishtinë, tash e disa muaj është ankuar në lidhje me një problem të cilin e ka pasur në banesën ku jeton.

Asaj i është ndaluar qasja në kulm, ndërsa nuk e di se si të hip deri në kulm për të rregulluar problemet që shkaktohen pas çdo reshje të shiut.

Në një intervistë për KALLXO.com, Luzha- Osmani ka treguar se ajo ka pasur vazhdimisht probleme me lagështi që u vije nga kulmi i ndërtesës, ndërsa ndalimi i qasjes i është bërë kohëve të fundit nga një komshi.

“Para disa muajsh ka filluar renovimin komplet, me mure me instalim të rrymës, aq kemi pasur zhurmë sa që nuk e kemi ditë çka është ka ndodh. Komshiu nuk na ka lajmëru. Një ditë e kemi parë komshiun dhe i ka thënë shoku komshiun dhe e ka pyet çka je t`u bo? E ai ja ka kthy që është t`u renovu, e bashkëshorti ka thënë a ma ke lanë qasjen për kulm, e ai i është përgjigjur jo”, ka treguar Luzha- Osmani, deri sa shton se komshiu i saj po vepron sikur banesa të ishte private dhe ai mund të bëjë çfarë të dojë.

Hyrja dhe qasja në kulmin e banesës në lagjen Dardania, Foto: KALLXO.com

“Ai po sillet sikur të jetë në banesë private dhe po na tregon çka me uzurpu dhe ku me i vendos shkallët për qasje nalt (në tavan). Unë e kam problem që kur ka të reshura qysh me u qas në kulm timin.

Luzha- Osmani thotë se për shkak që banesa është kolektive, terrasa dhe kulmi janë të përbashkëta për të gjithë banorët. Madje ajo përmend edhe një rast për të cilin thotë se për shkak se komshiu ka bllokuar qasjen për t`u ngjitur në kulm.

“Herën e parë kur kemi pas probleme krejt banesën e ka marr uji, e ai ka qëllu në pushim dhe 2 ditë është dashtë me prit deri sa të vjen”, tregon ajo.

Plasaritja e murit pas reshjeve të shiut brenda banesës së Arta Luzha- Osmanit, Foto: KALLXO.com

Problemin e qasjes në kulmin e banesës, Luzha- Osmani thotë se e ka që nga muaji tetor i vitit të kaluar.

Madje ajo thotë se për këtë çështje ka lajmëruar edhe inspektoratin komunal të Prishtinës.

“Ju kam drejtu edhe komunës i kam lajmëru inspektoratin edhe i kam thënë që a mundeni me ardh me këqyr se unë më nuk kam qasje në kulm dhe me ma bo një zgjidhje. Kanë ardh inspektorati i kanë blloku derën pas dy dite ai e ka hek vet bllombën që u blloku”, tha ajo.

Inspektorati sipas Osmanit e kanë arsyetuar ndërtimin.

“Kam marrë një email prej tyre dhe po e arsyetojnë atë se ai ndërtimin në vitin 2018, unë nuk jam eksperte me ju tregu se kur ka fillu ndërtimi, por atë çka e kam parë e kam tregu. Ata nuk kanë tregu as a ka marrë lejë për renovim dhe s’kemi qenë në dijeni. Inspektorati nuk na ka kthy përgjigje në atë që kam kërku. Kam kërku me ditë ku do ta kemi qasjen për në kulm për renovim të kulmit tim”, shtoi ajo.

Në lidhje me sqarimin e gjithë këtij problemi mes komshinjve Luzha- Osmani thotë se nuk kanë biseduar mes vete.

“Ai punët i ka bërë tinëz. Nuk kemi mujt me bisedu me të”, tha tutje Luzha- Osmani.

Ajo edhe sot kërkon që të ketë qasje në kulm pasi nuk ka mënyrë tjetër që të rregulloj problemet që i shkaktohen nga të reshurat e shiut dhe borës.

 

Arta Luzha, banore në Lagjen Dardania, Foto: KALLXO.com

“Kërkesa ime është me më tregu ku e kam qasjen e kulmit në një banesë kolektive. Kulmi është i rrafshët dhe gjithmonë kemi probleme”, thotë në fund ajo.

Në lidhje me pretendimet e Arta Luzha- Osmanit, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me komshiun e saj, Behar Dyla.

“Banesën e kam ly edhe e kam ly parketin. Jam i njoftuar për ankesat e Artës, sepse është shku edhe në inspektorat edhe gjithëkah, nuk e di cili është problemi i saj. Mbindërtimi është që 20 vite, ajo e ka ble banesë aty dhe po ia zë rrugën ndërtimi që ne e kemi bërë para shumë viteve”, tha Dyla në një bisedë për KALLXO.com

Dyla shpjegoi se ndërtimin për të cilin pretendon Arta Luzha- Osmani ka qenë edhe kur ka ardhur kjo e fundit në të njëjtën banesë kolektive.

“Ndërtimi është bërë në vitin 2000, kam aplikuar për verifikim në 2001, Arta kur ka ardh ka qenë ajo gjendje. Ajo nuk e ka pasur qasjen nga ana jem por nga ana e kundërt përballë meje, prej aty është hyp në kulm të Artës, jo ka pjesa ku e kam banesën unë”, shtoi tutje Dyla.

“Ajo është ankuar edhe në inspektorat, edhe në ministri, ata kanë konstatu se gjithçka është në rregull”, ka thënë Dyla në fund.

Për ankesat, problemet që ka paraqitur Arta Luzha- Osmani, KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Inspekcioni Komunal në Prishtinë.

Drejtori i Inspekcionit, Adonis Tahiri ka thënë se është verifikuar dhe është konstatuar se banori nuk ka kryer mbindërtim.

“Rasti ka të bëj me renovim të brendshëm të mbindërtimit ekzistues i cili është ndërtuar menjëherë pas luftës. Si dëshmi e palës ka qenë edhe aplikimi për legalizim të këtij ndërtimi në vitin 2001. Sa herë që ka pasur ankesë në qendrën tonë të thirrjeve, ekipet tona kanë shkuar menjëherë në mënyrë që të verifikojnë nëse po bëhen punime ndërtimore shtesë, gjë që nuk ka ndodhur”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.

Tutje Tahiri në disa përgjigje për KALLXO.com ka treguar se me Arta Luzhën- Osmanin është takuar dhe se janë sqaruar në lidhje me problemin për të cilin pretendon Luzha- Osmani.

“Ankuesen e kam takuar personalisht në Komunë. Edhe vet ajo ka deklaruar se mbindërtimi si i tillë është ndërtuar para shumë viteve. I kam sqaruar se të gjitha ndërtimet pa leje të ndërtuara para datës 5 shkurt të vitit 2018 trajtohen me ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe tek pas përfundimit të procesit të legalizimit kemi të drejtë të veprojmë tutje, nëse nuk legalizohet”, ka thënë tutje drejtori Tahiri.

Meqë, banesa mirëmbahet nga Ndërmarrja Publike Banesore, KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me ankesat e Arta Luzha- Osmanit.

NPB deri në publikim të këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Nëse ka pasur uzurpim, mbindërtim e i është ndaluar qasja në kulm, KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë pasi Arta Luzha- Osmani është ankuar edhe në këtë drejtori.

Drejtoria e Urbanizmit që nga 20 janari i këtij viti nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e KALLXO.com në lidhje me këto pretendime.