Arkiv - William Walker në vendin ku ka ndodhur masakra në Reçak - Foto: REL/Reuters

Banori i fshatit Reçak: Ne po kërkojmë drejtësi, jo hakmarrje

23 vite më parë, më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak të Shtimes ndodhi njëra prej masakrave më të rënda.

45 civilë shqiptarë, të paarmatosur, u vranë dhe u masakruan nga forcat e policisë dhe ushtrisë serbe.

23 vite pas, asnjë nga ata që i kryen krimet nuk u dënua nga një gjykatë.

Muhamet Bilalli, banor i fshatit Reçak, thotë se të gjithë ata që i kanë kryer krimet janë të ditur me emra dhe mbiemra.

“Në masakrën e Reçakut ka marrë pjesë aparati shtetëror i Serbisë, me emra e me mbiemra, ata dihen kush janë kanë. Deri sot, për askënd nuk është ngritë asnjë akuzë, ne të gjithë banorët e fshatit kërkojmë drejtësi, i gjithë stacioni policor i Shtimes dhe i Ferizajt por edhe kazerma e ushtrisë në Ferizaj, ne dyshojmë se kanë marrë pjesë”, deklaron Bilalli në KallxoPernime.

Ai thotë se ajo çfarë kërkojnë banorët e Reçakut dhe familjarët e të vrarëve nuk është hakmarrje por vetëm drejtësi.

Muhamet Bilalli, Foto: KALLXO.com

“Po të niset një hetim i mirëfilltë, atëherë ka dëshmitarë që i kanë pa ata. Drejtësia është e vonuar dhe banorët janë të prekur shumë. Ne si fshatarë nuk kërkojmë hakmarrje, ne s’mund ta bëjmë një krim si e kanë bërë ata por ne kërkojmë vetëm drejtësi”, thotë ai.

“Të paktën, ata pak prindër që na kanë mbetë, baballarë, nana, fëmijë të tyre, le të shohin që kriminelët po e marrin dënimin e merituar”, deklaron Bilalli.