Banori i fshatit Bellanicë pretendon se janë fshehur 40 padi ndaj ndërmarrjes "Mirusha" gjatë privatizimit

Në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka raportuar Hazir Hoxha, përfaqësues i fshatit Bellanicë të Malishevë, i cili tha se kanë dokumente të mjaftueshme për të dëshmuar që prona është e tyre.

“Po ju prezantoj me dokumente që ajo pronë që është e jona mbetet e jona. Kështu ka qenë që nga viti 1923. Këtu po flas në emër të 5 mijë banorëve të Bellanicës e Banjës. Kemi mjaftueshëm dokumente, këto janë prona private”, ka thënë ai.

Zëvendëskryesuesi i Komisionit, Gazmend Bytyqi, ka pyetur nëse ky fshat ka pasur ndonjë kontest pronësor me AKM-në, kurse Hoxha tha se janë 40 padi ndaj ndërmarrjes”Mirusha” në Gjykatën Komunale të Malishevës.

“Janë 40 padi ndaj “Mirushës” në Gjykatën Komunale të Malishevës, por janë fshehur deri sa është bërë privatizimi nga AKM-ja”, ka shtuar tutje Hoxha.