Banorët pretendojnë se ua mori pronat për ndërtim banesor dhe u largua pa i përfunduar - VIDEO

Ashensori në këtë ndërtesë 11 katëshe duhej të kishte përfunduar që në vitin 2015, por kjo nuk ka ndodhur.

Tomor Baruti, banor në lagjen “Ali Zeneli” në Mitrovicë në vitin 2013 përmes një marrëveshje me kompaninë, “Euro Keni Sh.p.k” vendosi që të jap pronën prej 803 metrave katrorë për ndërtim të një kompleksi banesor.

Prona në vlerë 722 mijë euro do t’i kompozohej me banesa nga kompania, “Euro Keni Sh.p.k”.

Sipas marrëveshjes në mes palëve, të gjitha ndërtimet do të përfundonin brenda dy viteve.

“Halli jonë është që fillimisht kemi pas pronat tona këtu të cilën pronë e kemi dhënë për ndërtim të lartë, kompanisë ‘Euro Keni Sh.p.k’ me pronar Sami Rexha. Kjo pronë është dhënë më vullnetin tonë me marrëveshje të dy anshme, ky pronari Sami Rexha ka premtu që në afat prej dy viteve banesat do të ndërtohen dhe do të jenë në funksion. Por çka ka ndodh ka ndodh e kundërta”, thotë ai.

8 vite pas, Tomor Baruti thotë se ndihet i mashtruar nga kompania pasi që  banesat janë të pa banueshme.

“Banesat janë të pa banueshme disa që po i shihni që janë të banueshme janë bërë të banueshme me vetëfinancim të banorëve pasi që nuk kanë pas ku të shkojnë. Edhe ato nuk janë ende të banueshme krejt… tjerat nuk janë të banueshme, kemi kërku me e zgjidh këtë problem”,  tregon ai.

Kërkesë e vetme e Barutit është që kompania, “Euro Keni Sh.p.k” të përfundoj ndërtimet ose të tërhiqet plotësisht nga prona.

“Kërkesa jonë e vetme është që të bëjmë presion tek Sami Rexha me kompani “Euro Keni” që të vij pasi që vetëm dy gjëra janë këtu, o të përfundon komplet o le të heq dorë. Banorët janë lodh kanë ardh në një fazë që duan me rrënu me vetiniciativë e atëherë do të bëhet një katrahurë e madhe”, thotë ai.

Edhe Bujar Nici, banor në lagjen “Ali Zeneli”  kishte dhënë pronën e tij  për këtë ndërtim banesor që kompania “Euro Keni Sh.p.k” e kishte nisur më 2013.

Nici që me mjete vetanake e kishte bërë të banueshme banesën e tij thotë se po e ka të vështirë jetesën aty. Kjo pasi banesa nuk ka kushtet elementare për banim.

“Banesa u kanë gjysmë e ndërtuar, për shembull banjo, dyert, laminatin vet i kam ndreq. Korridori i katit tim është katastrofë. Banesa brenda nuk ka pas asgjë. As qiranë që ka pas me na pagu nuk na ka pagu. Krejt trashëgimia e babës e babagjyshit na ka shku”, thotë Nici.

“Unë jam në katin e tetë, i kam prind, baba është 78 vjeç ndërsa nëna 74 vjeçe ata njëherë në javë dalin edhe i kam dy fëmijë të vegjël as nuk kemi lift as gilindera, as rrymë. Pronari i kompanisë as nuk na përgjigjet as nuk na lajmërohet jemi mbet në mëshirë të zotit”, tha ai.

Nici tha për KALLXO.com se tash e tre vjet nuk kanë kontaktuar me kompaninë ndërtuese ndërkaq kërkesë e vetme tij është përfundimi i punimeve.

“Marrëveshja ka qenë për dy vite me u kry krejt me çelësa në dorë, por tash në gusht janë bërë tetë vite edhe kurrgjë faktikisht që tetë vjet nuk janë lajmëru kurrë, asnjë baski nuk kanë ardh me e punu”, tha ai.

“Kërkesa jonë është që me na u lajmëru me na kry banesat qysh duhet që mos me pas këtë stres se çfarë po ndodh në shtëpitë tona që tetë vjet që kemi mbet rrugëve, tash në gusht janë bërë tetë vjet që kam dal prej shtëpisë që me vazhdu me ndërtu”,  tregon Nici.

Nevzat Dakaj është banori tjetër që ka mbetur pa shtëpi. Dakaj e kishte dhënë shtëpinë dhe pronën për ndërtimin e kompleksit banesor nga kompania, “Euro Keni Sh.P.K.”.

“Tokat tona i kemi dhënë për ndërtim që nga viti 2013, kemi bërë kontratën më të mirë të mundshme ligjore  te noteri dhe na është dhënë afati brenda 24 muajve me çelësa në dorë. Por, le 24 muaj por tash kemi hy për vitin e 9 gati një dekadë që banesat kanë mbet  gjysmake”, tha ai.

KALLXO.com që nga 2 shtatori ka provuar të kontaktoj më Sami Rexhën pronar të kompanisë, “Euro Keni Sh.p.k”, mirëpo që i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka thënë për KALLXO.com se në lidhje me rastin nuk ka rast të iniciuar.

Në evidencat tona nuk ka procedurë të iniciuar për rastin për të cilin ju jeni interesuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për KALLXO.com 

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

KALLXO.com ka raportuar në qershor të këtij viti se një pjesë e kompleksit banesor ishte përfshirë nga zjarri si shkak i djegies se orës së rrymës.

VIDEO – Orët e rrymës kaplohen nga zjarri në një banesë në Mitrovicë