Banorët në lagjen ‘Qëndresa’ në kryeqytet në hall me rrugën e prishur (VIDEO)

Banorëve në lagjen ‘Qëndresa’ në Prishtinë iu është vështirësuar jeta për shkak të rrugës së dëmtuar në këtë lagje.

Gropat e shkaktuara në këtë rrugë e cila përfshinë 740 metra kanë detyruar banorët e kësaj lagjeje të gjejnë rrugë të tjera alternative në mënyrë që veturat e tyre të mos dëmtohen nga rruga e prishur e shkaktuar nga punimet e kanalizimit nga komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Shpend Ahmeti.

Mentor Haliti, banor në këtë lagje, thotë se rruga e dëmtuar i ka shkaktuar probleme edhe në biznesin e tij, për shkak se numri i veturave të cilat kalojnë aty tashmë janë pakësuar dukshëm dhe kjo ka paraqitur problem në shitjen e produkteve të tij ushqimore.

Ai thotë se me këtë problem janë duke u ballafaquar tash e disa muaj. Atyre u është premtuar që do të rregullohet kjo çështje por se deri më tani ka mbetur vetëm premtim.

“Po ka premtuar, ka thënë pas tre muajve, nuk është realizuar, u bë nëntori – shkoi nëntori, dhjetori, as në dhjetor hiç. Mua më ka ndikuar kjo rrugë edhe në biznes, sepse automjetet nuk po mund të kalojnë këndej. Edhe Shpend Ahmeti, së paku një herë në javë kalon kësaj rruge, nuk e di a e sheh ai këtë rrugë”, u shpreh qytetari.

Ai thotë se zgjerimi i kanalizimit është shkaktar që rruga është prishur.

“Kjo rrugë ka qenë shumë e mirë. Arsye që e kanë prishë, është për një lloj kanalizimi kinse për ta zgjeruar për më mirë, se u mbush shumë ujë për atë arsye, dhe më nuk erdhën (me ndreq rrugën)”, tha Haliti.

E shqetësuar për gjendjen e keqe të rrugës shprehet edhe qytetarja tjetër, Andrea Cena.

Ajo thotë se kjo rrugë është shumë e frekuentuar nga qytetarët dhe se e shqetëson fakti se askush nuk e rregullon këtë rrugë.

“Rruga e prishur tmerrësisht. Nuk di çka me thanë, nuk e kam besuar që mundet me lanë dikush në këtë gjendje rrugën e cila është shumë e frekuentuar”, tha ajo.

Në anën tjetër nga Komuna e Prishtinës thonë se ndërtimi i kanalizimit ka qenë i domosdoshëm pasi që kanalizimi fekal dhe ai atmosferik, kanë qenë në të njëjtin gyp, duke shtuar se kontrata për asfaltim është në procedurë.

“Kontrata për asfaltim është në procedurë. Pasi të kryhen procedurat e prokurimit dhe me përmirësimin e kushteve atmosferike, do të asfaltohet edhe kjo rrugë që ka qenë mjaft e dëmtuar dhe pa kanalizim”, thuhet në përgjigjen e komunës.

KALLXO.com tash e disa javë ka kërkuar nga komuna të dijë nëse kontrata me kompaninë ‘KEMA Company SH.P.K’ të nënshkruar më 17 prill 2020 me kosto mbi 300 mijë euro përmes të cilës do të bëhej ndërtimi i rrugëve në pjesën urbane me infrastrukturë përcjellëse Gr- 2, do të përfshijë edhe rregullimin e kësaj rruge por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Burhan Kolshi nga kompania ‘KEMA’, thotë se në atë rrugë kanë rregulluar vetëm kanalizimin.

“Vetëm kanalizimin kemi pas ne aty. Vitin e kaluar e kemi rregulluar, nuk e di saktësisht në gusht apo në  shtator. Rrugën nuk e kemi pas të paraparë, por ne e kemi shtruar me zhavorr”, thotë Kolshi për KALLXO.com.