Banorët në hall me mungesën e nënkalimit në Stanoc të Epërm të Vushtrrisë

Banorët e fshatit Stanoc i Epërm të Vushtrrisë, janë ankuar se mungesa e nënkalimit në segmentin e rrugës M2 Prishtinë-Mitrovicë, është rrezik për banorët e kësaj lagje.

Përfaqësuesi i lagjes, Skender Cakaj ka thënë se projekti për ndërtimin e nënkalimit ka qenë, mirëpo është anuluar.

“Në stacionazhen 7+990, është e parapame të jetë një nënkalim për qytetarët edhe ky është anuluar, por me çfarë arsye nuk e di. Kena një problem se na këtë çështje e kena ngrit para disa muajve dhe kemi ba ankesa, kërkesa por nuk kemi kurrëfarë përgjigje”– u shpreh Cakaj.

Veç kësaj, ai tha se “në 1,700 metra janë 4 nënkalime e këtu kemi nënkalim tek pjesa Lumi i Madh edhe të varrezat e Novosellës, pra afër 4 km nuk ka qasje nënkalimi”.

Ai potencoi se ka bërë një projekt për të zgjidhur këtë problem, projekt ky i cili u pranua nga Ministria e Infrastrukturës, mirëpo që nuk morën përgjigje për fillimin e punimeve.

Një banor tjetër, Ibrahim Cakaj ka thënë se në këtë pjesë duhet të ndërtohet nënkalimi ose rrethi sepse është shumë e nevojshme.

“Nëse nuk ndërtohet rrethi këtu, na nuk dijmë çka me vepru. Përndryshe popullata ka me u organizu edhe kanë me çelë rrugën vetë, mos të vjen deri të ma e keqja që banorët me angazhu vetë”- tha banori i kësaj lagje.

Ai tha se “këtu ka pasur viktima duke e kalu rrugën e mos të ndodhin edhe viktima tjetra”.

Jeton Imeri, banor tjetër tha se patjetër duhet të bëhet një zgjidhje për këtë çështje.

“Kena kërku nënkalim nuk na kanë jep, kena kërku rrethrrotullim për kyçje dhe zgjidhjen tonë. Unë punoj në Prishtinë, çdo ditë në punë tash me infrastukturën e re unë duhet më shku në fshatin Maxhunaj për me u kthy e për me shku në Prishtinë në punë”– deklaroi Imeri

Ndërsa, Ejup Caka po ashtu banor i kësaj lagje, u shpreh se kanë qenë të parapara dy nënkalime, mirëpo aryseja se pse janë larguar nuk është e njohur për ata.

“Ky vend këtu është një gjatësi bukur e madhe dhe nuk ka asnjë nënkalim. E rrezikshme është tej mase”– tregon Caka për KALLXO.com

Lidhur me numrin e viktimave në këtë pjesë të rrugës, KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë për Rajonin e Mitrovicës Avni Zahitin, i cili ka thënë se në zonën e fshatit Stanoc që nga viti 2018 kanë ndodhur dy aksidente me fatalitet.

“Në zonën e fshtatit Stanoc, njjë aksident me fatalitet ka ndodhur në vitin 2018, ndërsa tjetri ka ndodhur në janar të viti 2024″– u shpreh Zahiti.

Për mungesen e nënkalimit, për KALLXO.com është deklaruar edhe zëvëndësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili tha se janë në diskutim për një mundësi tjetër për zgjidhje të problemit.

“Nënkalimi ka qenë në projekt është hequr në atë kontratën që ka qenë përpara që është shfuqizu dhe nuk është pjesë e kontratës. Tash kemi me diskutu ndonjë zgjidhje për me ba ndonjë rrethrrotullim”- tha Durmishi.

Mirëpo, se kush e ka larguar nënkalimin si pjesë të programit, Durmishi tha se “e ka hjekë kush ka qenë përpara njësi implementuese që funksionon në kuadër të ministrisë”.

Ndërsa, lidhur për projektin, KALLXO.com ka kontaktur edhe me komunën e Vushtrrisë.

Kryetari i kësaj komunë Ferit Idrizi, ka thënë se ndërtimi i nënkalimit nuk është nën kompetencat e komunës.

“Është në përgjegjësi të Ministrisë, sepse ajo është autostradë dhe ne nuk kemi aty asgjë, vetëm që kalon nepër territorin administrativ të komunës së Vushtrrisë” – u shpreh kryetari Idrizi.