Foto: KALLXO.com
Banorët kundërshtojnë ndërtimin e objektit të BIK-ut në Gjilan
Disa banorë të Gjilanit konkretisht ata të pjesës e cila njihet si “Qendra- Zona 1” po kundërshtojnë një vendim të komunës të vitit 2020 (në atë kohë sa ishte qeverisja lokale e Lidhjes Demokratike të Kosovës) për të lejuar ndërtimin e objektit të selisë së Këshillit të Bashkësisë Islame.
Drilon Brestovci banor në “Zonën 1” të qendrës së Gjilanit thotë se nuk janë kundër ndërtimit të objektit për nevojat e BIK-ut në këtë komunë por ndërrimi apo destinimi i parcelave është duke u bërë në mënyrë të kundërligjshme.
“Jemi mbledhur këtu në kundërshtim për një veprim që po ndodh në një hapësirë publike e cila në mënyrë të jashtëligjshme është dhënë një leje e përkohshme për ndërtimin e një objekti i cili nuk përkon me natyrën e sheshit dhe pëlqimin e banorëve të lagjes”, thotë Brestovci.
Tutje ai shton se nuk janë kundër ndërtimit të objektit për nevojat e BIK-ut, por kanë nevojë për hapësirën e paraparë që të bëhej parking nëntokësor dhe hapësirë gjelbëruese.
Vendimi i Komunës së Gjilanit që mban datën 5 qeshor të vitit 2020 thotë “Miratohet vendimi për ndryshimin e pjesshëm të destinimit të planifikuar në parcelat kadastrale me nr: 03872-0 dhe 03878-0 në kuadër të Planit Rregullues Urban “Qendra-Zona1” Gjilan, i miratuar me vendimin e Kuvendit Komunal mbi qasjen e revidimit”.
Neni 2 i këtij vendimi parasheh që “pjesës së parcelës kadastrale nga Neni 1 të këtij vendimi iu ndërrohet destinimi nga ai ekzistues sipas planit rregullues në destinim për ndërtimin e objektit të Selisë së Këshillit të Bashkësisë ISlame- Dega në Gjilan”.
Pas vendimit të Komunës së Gjilanit për të ndërruar destinimin e dy parcelave, banorët e “Zona 1” kishin parashtruar ankesë në atë kohë ose më saktësisht më 8 korrik të vitit 2020 në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Sipas ankesës që ka siguruar KALLXO.com, banorët kanë përmendur faktin se me planin rregullues zonat ku po pretendohet të ndërohet selia e BIK-ut në Gjilan ka qenë e paraparë të bëhet parking nëntokësor dhe hapësirë gjelbëruese e cila do të lidhej më pas me sheshin aktual që gjendet në atë zonë.
Kjo ankesë e banorëve ishte marrë parasysh pasi që në një përgjigje të MAPL-së pas ankesës ishte thënë se kishin kërkuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit shqyrtimin e vendimit të Komunës së Gjilanit për revidimin e pjesshme të parcelave.
Tutje banorët e “Zona 1” kanë ofruar për KALLXO.com edhe një dokument të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të datës 1 korrik të vitit 2020.
Dokumenti ishte shqyrtuar nga Drejtoresha e Departamentit Ligjor, Florije Kika për ministrin Goran Rakiq.
Në po të njëjtin dokument thuhet se Ministria e Ambientit, kishte pranuar për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë vendimin e komunës së Gjilanit për aprovimin e revidimit të pjesshëm të Planit Rregullues Urban “Qendra Zona 1” në parcelat e lartëpërmendura.
“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, pas shqyrtimin të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në po të njëjtin dokument të siguruar nga KALLXO.com.
Sipas dispozitave ligjore që ka përmendur Ministria, komuna ka vepruar në kundërshtim të Ligjin për planifikimin hapësinor pasi që nuk parashihet revidimi i pjesshëm i dokumenteve të planifikimit hapësinor.
Tutje thuhet se bazuar në Ligj, nuk lejohet destinimi tjetër apo shfrytëzueshmëria tjetër nga ajo që është e paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor të nivelit lokal të miratuara dhe në fund pika e tretë sipas dokumentit, thuhet se hartimi i dokumenteve të planifikimit hapësinor në nivel lokal bazohet në Ligjin për Planifikimin Hapësinor.
Ministria e Ambientit i ka propozuar Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal që të kërkojë nga komuna që të ndërmarrin veprime konkrete që akti të harmonizohet me dispozitat ligjore brenda 30 ditëve.
Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga pushteti aktual lokal në Gjilan të cilët po ashtu e quajnë vendimin të jashtëligjshëm.
Madje, sipas tyre afërsia e këtyre dy parcelave me Muzeun e Qytetit apo objektin e “Kajmekamllakut”, monument nën mbrojtje të përkohshme i trashëgimisë kulturore me numër unik 319, i cili është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, e bënë që leja ndërtimre e lëshuar në këto parcela kadastrale të bie ndesh edhe me dispozitat e Ligji për Trashëgimi Kulturore.
“Ne si drejtori, do të rishikojmë, ligjshmërinë e lëshimit të lejes së ndërtimit nr. 07-350/02-011911/20 datë 06.10.2021, lëshuar për Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Gjilan, e cila sot është pezulluar me vendimin nr. 07-350/02-0038723/22 datë 08.04.2022. Ky rishikim, vie pas auditimit të bërë nga Njësia e Auditimit të Brendshëm në Gjilan, në fund të vitit 2021, e cila rekomandon menaxhmentin e DUPMM-së dhe Kryetari i Komunës që të rishikojnë vlefshmërinë e lëshimit të lejes ndërtimore për Këshillin e Bashkësisë Islame”, thuhet në përgjigjet e komunës drejtuar Kallxo.com.
Të njëjtit thonë se në seancën e radhës së Kuvendit Komunal do të shqyrtohet edhe kjo çështje.
Banorët e “Qendra-Zona 1” i kanë thënë KALLXO.com se punëtorët kishin filluar gjatë ditës së djeshme të punonin në atë zonë por punimet janë ndaluar nga inspektorët komunal.
KALLXO.com ka siguruar edhe disa pamje të fillimit të punimeve e të cilat më pas janë ndaluar për shkak të vendimit të Inspektoratit.