Banorët kundër ndërtimit shumëkatësh në lagjen 'Jarinë' në Pejë

Disa banorë të lagjes “Jarina” në Pejë, po pretendojnë qe ndërtesa qe do ndërtohet karshi tyre, ka fituar lejen e ndërtimit nga Komuna e Pejës në mënyrë të kundërligjshme.

Ata thonë se ndërtimi i këtij objekti ua pamundëson atyre t`i gëzojnë orët me diell dhe të kenë ndriçimin e duhur.

“Shqetësimet tona kanë të bëjnë me mosrespektim të normave ligjore për ndërtim”, tha njëri nga banorët, Enes Goga.

Dyshimin se kjo leje është marrë krejtësisht në mënyre të kundërligjshme, qytetarëve po ju shtohet sepse aty po ndërtohet në orët e hershme të mëngjesit dhe atë ditën e dielë.

“Duke i parë këto kushte të ndërtimit dhe asaj që po ndodhë në teren ku punëkryersi menjëherë pas marrjes se lejes me 22.11.2019, nis hapjen e themelit ditën e dielë, neve banorëve na bën të dyshojmë se ky ndërtim nuk është i rregullt”, shtoi Goga për KALLXO.

Qytetarët thonë se nuk është respektuar distanca mes ndërtesave e paraparë me planin rregullues “Puhovc” dhe “Jarinë”,  dhe se ekziston rreziku që të vije deri të bashkimi i hapësirës se këtyre dy objekteve, hapësirë kjo e ndarë nga një mur.

Ky mur që ndan fizikisht hapësirën e objektit banesor të ankuesve me objektin afarist “Ndërtimtari”, e që rrezikohet të rrënohet, ashtu që hapësira e ankuesve të shfrytëzohet për shërbime të banorëve të ardhshëm, për parking, për hudhje të mbeturinave, kënd të lojërave.

E kjo sipas banorëve, në radhë të parë për shkak të mosrespektimit të distancës së paraparë në tri drejtime që si pasojë nuk ka vend-parking për vetura, e që nuk është respektuar as zona e gjelbërimit, këndi i lodrave si dhe nyjet për grumbullimin e mbeturinave.

Mungesa e hapësirës për këto ngre dyshimin se muri ndarës do rrënohet dhe hapësira e ankuesve të shfrytëzohet edhe nga banorët e objektit karshi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kompaninë ndërtimore “Ndërtimtari”.

Në një përgjigje të kompanisë për Kallxo, të njëjtit kanë mohuar në tërësi pretendimet se leja është marrë më mënyrë të kundërligjshme.

“Leja është marre të organi kompetent në kuadër të Komunës së Pejës, sipas kritereve që i përcakton ligji. Nga ana e banorëve nuk kemi pasur ndonjë ankesë, e që kjo mund të jetë iniciativë e njërit prej banorëve”, është përgjigja e kompanisë lidhur me çështjen.

Banorët kanë dërguar kërkesë kryetarit të Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, por që sipas tyre nuk ka pasur risi në këtë drejtim.

“Hyrje e objektit- një për banim, një për afarizëm dhe një për garazhim, problemi është sepse në projekt dhe kushtet e ndërtimit lejohet hyrja për banim dhe garazhe nga ana veriore ku hapësira është e kufizuar me muri si pronë e kompleksit “Jarina”, thuhet në kërkesën e këshillit banesor drejtuar kryetarit Gazmend Muhaxheri.

Kallxo.com ka siguruar një njoftim zyrtar të Sh.P.K. “Dukagjini” të datës 25 prill 2012, e vërtetuar nga Gjykata e Pejës,  ku thuhet se ndërtesat në fjalë në bashkëpronësi nuk janë të karakterit publik të hapura për shfrytëzim nga të tjerët, por ekskluzivisht për nevoja të banorëve dhe vizitorëve të tyre.

“Këshilli administrativ i banesave gëzon të drejtën e caktimit të rregullave të shfrytëzimit dhe mbikëqyrjes se tërësisë ndërtimore që kanë në bashkëpronësi, deri në instancën e mbylljes me porta dhe rrethojë të hapësirës që kanë nën administrim”, thuhet ndër tjera në njoftim.

Lidhur me këtë leje ndërtimore, është hapur edhe rast në Prokurorisë e Pejës.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje lidhur me këtë çështje nga Drejtoria e Urbanizmit në kuadër të Komunës se Pejës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Peticioni i banorëve
Peticioni i banorëve
Peticioni i banorëve
Peticioni i banorëve