Tampa, Florida, SHBA. Fotografia: Departamenti i Policisë së Tampas

Banorët kthehen në Tampan e shkatërruar

Banorët e Floridës kanë nisur riparimin e dëmeve nga uragani “Milton” dhe po hamenden se çfarë u sjell dita e re pasi stuhia u përplas në brigjet me komunitete duke rrafshuar shtëpi, vërshuar rrugë dhe sjellë një mori tornadosh vdekjeprurëse, raporton AP.

Së paku tetë persona raportohen të vdekur, por shumë banorë kanë thënë se ndihen të çliruar që “Milton” nuk ishte i fuqishëm sa ishte druajtur. Uragani goditi komunitetin e banuar deng të Tamnpas, dhe stuhia nuk u materializua aq frikshëm sa kishin shprehur frikën shkencëtarët.

Vetëm dy muaj pas uraganit shkatërrimtar “Helene”, rrjeti i dëmtuar energjetik la pa rrymë më shumë se tre milionë konsumatorë. Stuhia shkuli pullazin e sallës së basketbollit në Tampa dhe rrëzoi një vinç. Shumë ishuj janë vërshuar.

Ekipe të shumta shpëtimi janë nisur në drejtim të zonave më të goditura. Janë dërguar edhe tankerë me ujë të pijshëm për banorët, duke vendosur edhe toalete mobile me qëllim që qytetarëve të mbetur në zonë t’u ofrohen shërbimet themelore pasi shtëpitë janë shkatërruar.

Gjetja e gazit ende është sfidë më vete për banorë që kanë nisur të kthehen që të merren me pastrimin, derisa ende janë të mbyllura pompat e derivateve të naftës. Stuhia e kategorisë së tretë ka marrë drejtimin e veriut.

Megjithatë në pjesën më pak të goditura ka nisur kthimi i njerëzve të industrisë së turizmit, qenësore për shtetin e Floridës.

Të premten gjatë ditës pritet të nisin edhe fluturimet brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Natasha Shannon dhe burri i saj, Terry, thjesht po ndihen me fat që janë gjallë. Uragani “Milton” ua shkuli çatinë prej kallaji të shtëpisë së tyre në lagje, disa blloqe në veri të Lumit Manatee, rreth 45 minuta me makinë në jug të Tampas. Ajo e shtyu burrin të largohej ndërsa stuhia po shkonte drejt tyre të mërkurën mbrëma, pasi ai nuk donte të  largohej prej shtëpisë së tyre me tri dhoma gjumi, ku ai u rrit dhe ku çifti jetonte me tre fëmijët dhe dy nipërit e tyre. Ajo beson se vendimi u shpëtoi jetën.

Kur u kthyen e gjetën çatinë e shtëpisë të shpërndarë nëpër rrugë, trarët prej druri të tavanit të tyre të ekspozuar në qiell. Orenditë i kishte bartur e shkatërruar stuhia dhe shiu.

“Nuk ishte kushedi çka, por ishte e jona. Ajo pak që kishim është zhdukur”, ka thënë ajo. “Nuk është më”.

Meqë më nuk ka strehimore të disponueshme dhe dhomat e hoteli janë të shtrenjta, ata planifikojnë të vendosen në shtëpinë e nënës së Terry Shannon tani për tani. Pastaj nuk e dinë çfarë i pret.

“Unë nuk kam asnjë përgjigj”, ka thënë Natasha Shannon. “Cila është lëvizja ime e radhës? Çfarë do të bëj?”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com