Gjendja e rrugës në Zhegër të Gjilanit - Foto: KALLXO.com
Banorët e Zhegrës së Gjilanit ankohen për rrugën që ‘s’u asfaltua me muaj’ – VIDEO
Banorët e fshatit Zhegër të Gjilanit janë në hall me gjendjen e rrugës pranë shtëpive të tyre. Sipas tyre, rruga “Isa Haziri” tash e katër muaj nuk ka përfunduar, pasi e njëjta do të duhet të riasfaltohet, ashtu siç u është premtuar.
Ndërprerja e punimeve në këtë rrugë ka sjellë vështirësi për qytetarët të cilët e frekuentojnë këtë pjesë të fshatit. Banorët thonë se nuk kanë marrë përgjigje nga zyrtarët komunalë rreth kësaj çështje, ndërsa pretendojnë se buxheti që ishte ndarë për rrugën e tyre, është investuar në një lagje tjetër. Nga komuna i kanë mohuar akuzat e banorëve.
Banori Halil Avdullahu thotë se jeton në diasporë, por pushimet në Kosovë po i ka të vështira për qarkullim në rrugën e fshatit.
“Jam nga Zhegra por jetoj jashtë Kosovës. Kjo gjendje e rrugës kurrkund në botë nuk është, as në Evropë as në Palestinë. Këqyre qysh na ka sjell qeveria e mëhershme edhe qeveria e tashme, këto qeveri janë krejt jo veç një. Kur vijnë zgjedhjet krejt vrapojnë pas votave, nuk ka rëndësi kush fiton apo kush humbë me rëndësi populli do me jetu” – tha ai për KALLXO.com.
Ai ka hall për bashkëfshatarët që sipas tij u duhet të ballafaqohen me këtë gjendje gjatë tërë vitit.
“Shpresoj që rregullohet diçka, jo po na diaspora shkuam, nuk vijmë me jetu deri vitin e ardhshëm, më së pari edhe këta bashkëfshatarët sa pluhurin e kanë nëpër shtëpi.”
“Katastrofë” e përshkruan gjendjen e rrugës banori tjetër Ajvaz Ajvazi.
“Është katastrofë. Unë kam ardhë që një muaj këtu nuk mundem të dalë me veturë këtu pari sepse shikoni gjendjen e rrugës, punimet janë shumë të ngadalshme, nuk di çfarë të them, unë s’mund të dalë as me kerr duhet me u sillë tjetër anë, jena adresuar në komunë po nuk ka kurrfarë ngjarje” – shprehet ai për KALLXO.com.
Besnik Selmani – banor i këtij fshati po ashtu thotë se rruga ka këtë gjendje me vite, para se të nisnin punimet për riasfaltim tash e disa muaj.
“Kjo rrugë më shumë se 30 vite është kështu, me gropa, niset pak me u punuar e pastaj e lënë. Nuk kemi informatë prej komunës, këtu vetëm kush ka pasë mundësi ka punuar dhe ka ndërtuar në këtë rrugë, këtu komuna shumë pak investon”.
Ankesa ka për vonesa në punime.
“Problemet e rrugës kanë filluar i ka që 3-4 muaj që kanë filluar, shumë ngadalë është duke shkuar punimi. Qe, a po e sheh pluhur, gjendja katastrofë, tash që e kanë nisë duhet me u kry pak më shkurt e jo kështu me zgjatë, qashtu duke i rregulluar kanalizimet a kjo, a ajo” – thotë banori tjetër Mexhit Ajvazi.
“Një punë që niset edhe duhet me u kryer, e ka një afat kur kryhet”- shtoi ai.
Për problemin e banorëve me këtë rrugë, KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Gjilanit.
Drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Kushtrim Ibrahimi tha se për rregullimin e saj buxheti është i limituar, ndërsa ka shtuar se e njëjta do të përfundohet këtë vit.
Drejtori komunal i mohoi pretendimet se buxheti i rrugës është ndarë për në projekt tjetër infrastrukturor.