Foto-ilustrim

Banorët e Thethit e shpëtojnë turistin polak në mes të natës

Banorët e zonës së Thethit i janë përgjigjur thirrjes së Policisë, e cila ka kërkuar ndihmën e tyre për gjetjen e një turisti polak, i cili për shkak të një lëndimi kishte mbetur i ngujuar në zonën malore.

Turisti W.M. rreth orës 19.00 duke eksploruar zonën e Thethit, ka dëmtuar këmbën në disa shkëmbinj në majën e Harapit.

20-vjeçari ka njoftuar në numrin 112 duke kërkuar ndihmë, pasi nuk ecte dot për shkak të dëmtimeve të marra në këmbë.

Për shkak të orës së vonë dhe errësirës, ishte i pamundur dërgimi i helikopterit dhe në këto kushte punonjësi i policisë së zonës Theth ka njoftuar banorët, të cilët së bashku me Policinë janë vënë në kërkim të turistit.

Rreth orës 21.30, banorët e zonës së bashku me punonjësin e Policisë kanë arritur ta gjejnë turistin polak, të cilin e kanë transportuar deri në rrugën e makinës.

Më pas 20-vjeçari është transportuar me autoambulancë në qendrën shëndetësore të Thethit dhe pas ndihmës së parë mjekësore rezultoi se nuk ka asnjë problem për jetën dhe as dëmtime serioze fizike.

Turisti polak W. M ka falënderuar banorët e zonës dhe policinë që i erdhën në ndihmë duke i shpëtuar jetën.