Banorët e Rrugës C në Prishtinë në hall nga kundërmimi i erës nga ujërat e zeza - VIDEO

Banorët që jetojnë në Rrugën C në Prishtinë ankohen nga era që kundërmon nga shpërthimi i gypit të kanalizimit tash e disa javë në atë rrugë.

“Me sa e di unë, ka një kohë të gjatë që kemi telashe me puseta. Janë tri puseta që janë të bllokuara ose janë të prishura… Kur ka shira, shumë shkon uji teposhtë rrugës, është goxha problematike” – tha Admir Dushullovci, banor në Rrugën C.

Ai shton se kanë bërë ankesa në komunë për këtë problem, por që komuna ka intervenuar në këtë hapësirë në mënyrë shumë sipërfaqësore.

“Kanë intervenu disa herë komuna, por ka qenë shumë sipërfaqësore. Vijnë i pastrojnë pak, po kurgjo hiq nuk bajnë. Dy-tri herë jena anku. Unë personalisht jam anku, i kam dëshmitë e ankesave, por nuk ka diçka konkrete” – tha ai

Një banor tjetër në këtë rrugë, Behar Pllana, thotë se ky shpërthim i kanalizimit ka bërë që në këtë hapsirë të kundërmoj erë të keqe.

“Shpërthimi i kanalizimit këtu është qe 2 javë e më tepër. Jashtëzakonisht era shumë po kundërmon, qysh po e shihni edhe vet, edhe nëpër lokale dhe biznese, por edhe në ndërtesa këtu. Unë jetoj afër. Si hyna në shpi era kundërmon shumë. Edhe nuk kena të ndenjur as në shpi as këtu në rrugë ku e kemi lokalin apo biznesin” – tha Pllana, banor në Rrugën C.

Kallxo.com ka kontaktuar me zëdhënësen e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Prishtinë e cila ka thënë se më 30.08.2024, ekipet e mirëmbajtjes së kanalizimit kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit janë në vendin e ngjarjes për të sanuar kanalizimin në Rrugën C. Aty ka mbeturina të shumta që janë hedhur nga kompani të ndryshme dhe qytetarë të papërgjegjshme, meqë rast kanë bllokuar sistemin e rrjetit të kanalizimit. Ekipet janë sot por do ju duhet të punojnë edhe në ditën e hënë në mënyrë që të bëjnë në mënyrë që të bëjnë në shpejtësi pastrimin e pusetave të kanalizimit të cilat janë bllokuar për shkak të mbeturinave të shumta” – tha Mjeku.

Ata thanë që sa herë që të bllokohen gypat e kanalizimeve shkojnë në vendin e ngjarjes por nëse vazhdon hedhja e mbeturinave atëherë gypat do të bllokohen më shpejtë dhe do të shkaktojë vështirësi në rrjetin e kanalizimeve për qytetarët.

Ekipi i KALLXO.com ka kontaktuar me komunën e Prishtinës ku kanë thënë që defekt i kanalizimeve në Rrugën C është shkak i bllokimit të pusetave nga hedhja e mbeturinave nga qytetarët.

“Pjesa e kanalizimit në Rrugën C  është punuar shumë vite më parë. Para thuajse një viti është punuar një segmet tjetër i kanalzimit  afër ketij defekti. Defekti i cili ka ndodhur është shkak i bllokimit të pusetave nga pa-përgjegjësia e hedhjes së mbeturinave dhe palomave të lagura. Ne kemi njoftuar “KRU” Prishtinën dhe është duke intervenuar për de-bllokimin e tij” – tha për KALLXO.com, ushtruesja e detyrës së shefes së sektorit të menaxhimit të kontratave për ndërtim të ulët, Irfete Zejneli.