Foto: KALLXO.com

Banorët e Reçakut të dëshpëruar nga institucionet e Kosovës

Mohimi i Masakrës së Reçakut nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk i ka befasuar banorët e këtij fshati, të cilët në orët e para të mëngjesit të 15 janarit të vitit 1999 humbën 45 familjarë të tyre.

Aziz Beqiri, banor i këtij fshati, e kujton mjaft mirë këtë ditë. Ai me mllef e me dëshpërim shprehet i pakënaqur për punën që institucionet e Kosovës kanë bërë në lidhje me këtë çështje.

“Ne s’presim asgjë prej Daçiqit dhe Vuçiqit, por pak jam i zhgënjyer prej udhëheqësve të shtetit tonë që s’kanë punuar mjaftueshëm për zbardhjen dhe me e paditë dikë për këto vrasje”, ka thënë Beqiri për KALLXO.com.

Në mesin e viktimave, Beqiri ka të vrarë 5 anëtarë të largët të familjes, por ai është i pikëlluar edhe për viktimat e tjera.

“Kam familjarë të vrarë, rreth 5 anëtarë në mesin e tyre. Por të gjithë të vrarit kanë qenë katundarë tonë, jemi rritur bashkë, krejt i kanë mbytur pa pikën e fajit”, ka rrëfyer më tej banori i Reçakut.

Aziz Beqiri, banor i fshatit Reçak

Ndonëse kanë kaluar 20 vite nga kjo masakër e cila nga presidenti serb po konsiderohet “e fabrikuar” , banori i fshatit Reçak është shprehur i gatshëm të dëshmojë për këtë ngjarje, por është skeptik për ndikimin që do ta ketë dëshmia e tij.

“Jam i gatshëm me dëshmu për atë se çka e di, edhe në Hagë, por sa ka me funksionu sepse s’janë tu bo tonët diçka më shumë, më fortë ka bë Natasha Kandiq në Serbi sesa këta tonët. Ajo ka qenë edhe gjatë varrimit qysh kam dëgju”, ka treguar Beqiri.

Ai ka rrëfyer se kur ka ndodhur masakra ka qenë në shtëpinë e tij dhe ka treguar se ruan diçka të veçantë nga ajo ditë.

“Kur ka ndodhur masakra kam qenë në shtëpi. Trombllonin e ruaj hala që ma kanë gjuajtur në oborr, e ruaj një copë të serbëve, s’e humb kurrë”, ka shtuar Beqiri për KALLXO.com.

Edhe pse sot nuk është përvjetori i kësaj masakre, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak.

Ai në këtë ngjarje pati dy porosi. Njërën e pati për homologun e tij serb në lidhje me deklaratat se kjo masakër ishte trillim dhe tjetrën e pati për ndërkombëtarët duke i sugjeruar që ta vizitojnë këtë fshat.

“Reçaku është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer kundër popullatës civile në Kosovë në kuadër të fushatës së gjenocidit. Serbia ka kryer 400 masakra në Kosovë, ka vrarë 1,300 fëmijë ndërsa aparati shtetëror i tyre ka dhunuar rreth 20 mijë gra. Në të njëjtën kohë kemi rreth 13 mijë shqiptarë civilë të vrarë”, ka thënë Thaçi pasi eci pranë kompleksit memorial të Reçakut në të cilin janë varrosur trupat e të vrarëve nga forcat serbe.

“Për fat të keq, më duhet ta them me zhgënjim, se edhe heshtja e ndërkombëtarëve dhe mosvizita e tyre sidomos këtu në Reçak, në një formë a formën tjetër, e ka amnistuar edhe lidershipin aktual të Serbisë të pretendojë në mohimin e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit në Kosovë”, ka shtuar ai.

Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut duke thënë se dënimi i tij është i frikshëm.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Ëalker, një mashtrues”, tha Vuçiq para gazetarëve, raporton b92.

Pas kësaj deklarate të Vuçiq ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar kujdes në gjykimet në lidhje me deklaratat që jepen për masakrën e Reçakut.

Njësoj ka reaguar edhe Bashkimi Europian dhe UNMIK-u, të cilët kanë kërkuar që të balancohet liria e shprehjes me përgjegjësinë politik.

Kurse, Ambasada e Zvicrës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare kanë dënuar deklaratën e Vuçiqit për Masakrën e Reçakut.

Por as reagimet në vend nuk kanë qenë të pakta.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, i ka quajtur jonormale deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili masakrën e Reçakut e konsideron trillim.

Kurse, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar duke thënë se gjenocidi, varret masive e masakrat janë e vërteta e Serbisë.

Avokati kosovar Tomë Gashi ka bërë të ditur për KALLXO.com se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka mohuar masakrën e Reçakut në kohën e luftës në Kosovë.

Gashi kallëzimin penal e ka bërë në cilësinë e përfaqësuesit juridik të viktimave të Masakrës së Reçakut.

Ndërsa, ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka thënë se mohimi i masakrës së Reçakut nga Vuçiqi është çmenduri.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë.

20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky krim i llahtarshëm tronditi gjithë opinionin ndërkombëtar.

Ambasadori William Walker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit. Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.