Banorët e Rahovecit akuzojnë Komunën për parkingun afër teqes “Haxhi Shejh Iljazit – Rifai”

Banorë të Rahovecit po ankohen se Komuna përmes një vendimi ia ka aprovuar pa pëlqimin e tyre një kërkesë shehut Mehdi Shehu për shfrytëzim të hapësirës së lagjes për parking për vizitorët e teqes “Haxhi Shejh Iljazit – Rifai”.

8 banorë që kanë bërë ankesë thonë se me këtë vendim iu është privuar e drejta e tyre që t’i parkojnë veturat para shtëpisë së tyre dhe  në shumicën e rasteve nuk kanë qasje në hyrjen e shtëpisë për shkak të parkimit të veturave.

“Unë këtu shumë afër e kam shtëpinë dhe nuk mundem me parku. Shpeshherë as nuk mundem me dal prej derës së shtëpisë për shkak të veturave të shumta që parkohen këtu”, thotë për KALLXO.com njëri nga banorët e kësaj lagjeje.

Banorët po ashtu pretendojnë se ky vendim është i jashtëligjshëm, pasi sipas tyre, është shkelur Ligji për Shfrytëzimin dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Kosovës, neni 4, i cili thotë se për këtë vendos Asambleja Komunale.

“Vendimi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e larta ligjore për arsye se në rastin konkret organi kompetent për dhënien e shfrytëzimit të pronës së paluajtshme të komunës është Kuvendi Komunal dhe jo Drejtoria e Shërbimeve Publike, siç është vepruar në këtë rast”, kanë shtuar ata për KALLXO.com.

Vendimi për lejimin e shfrytëzimit të hapësirave të rrugës “Bekim Sylka” në Rahovec është marrë më 1 shkurt të këtij viti dhe kërkesa e shehut, Mehdi Shehu, ishte bërë më 22 janar 2021.

Komuna e Rahovecit me këtë vendim ia ka dhënë shehut 4 hapësira për parking me pagesë, 1 parking për persona me nevoja të veçanta dhe 2 hapësira të tjera pa pagesë deri më 2 maj.

Vendimin, Komuna e Rahovecit e ka arsyetuar më mbështetje të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Procedurë Administrative, si dhe një rregullore të kësaj Komune për taksat komunale.

“Drejtoria për Shërbime Publike duke shqyrtuar kërkesën e parashtruar dhe shkresat e lëndës, pas daljes në teren që është bërë shikimi i gjendjes se hapësirës publike në fjalë si dhe pas hartimit të procesverbalit të datës 26.01.201 , është konstatuar se hapësira në fjalë është duke u shfrytëzuar në mënyrë  jo racionale, prandaj është lejuar shfrytëzimi”, thuhet në vendim të siguruar nga KALLXO.com.

Ndërsa, shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Rahovecit, Veli Gashi, tha për KALLXO.com se kërkesa e shehut, Mehdi Shehu është aprovuar sipas Rregullores për Shërbime Publike të Komunës së Rahovecit.

“Ne me të ardhur një kërkesë jemi të obliguar me ligj që t’i kthejmë përgjigje çfarëdo qytetari të Rahovecit dhe e kemi pa të arsyeshme që kërkesën t’ia kthejmë në mënyrë pozitive, pasi që ajo kërkesë është miratuar në bazë të rregullores së  për shërbime komunale dhe kemi qenë të obliguar që atë kërkesë ta kthejmë pozitive dhe jo vetëm për atë por për të gjithë qytetaret”, tha Gashi.

Ai shtoi se në seancën e radhës të Kuvendit Komunal do të marrin vendim që çdo institucion fetar ta shfrytëzojë hapësirën e Komunës për parking.

“Ne besojmë që në seancën tjetër do t’ia mundësojmë të gjitha institucioneve fetare dhe institucioneve të rëndësishme që t’u lirohet  që t’i lejohet qasja e parkingjeve e tyre para objektit në vendet që qytetarët e Rahovecit e kanë atë si pikë referimi sepse janë vende të shenjta”, tha Gashi më tej për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte vizituar këtë hapësirë të parking-ut dhe ishte penguar nga shehu, Mehdi Shehu dhe ishte kërcënuar nga një person tjetër.

Banorët e kësaj lagje po ashtu kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Gjakovës, në lidhje më këtë çështje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Prokurorisë nëse është marrë ndonjë veprim hetimor, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar përgjigje.