Banorët e 'Qendrës' në Prishtinë protestojnë kundër zhurmës nga kafenetë

Disa banorë të zonës “Qendra” në Prishtinë, janë mbledhur sot në shenjë pakënaqësie për shkak të zhurmës së krijuar nga kafenetë në rrugën ‘Rexhep Luci’ dhe përreth.

Ata po kërkojnë ‘të drejtën e tyre elementare’ që të qëndrojnë të qetë në vendbanimet e tyre.

Violeta Hasani, kryetare e komunitetit lokal për siguri publike, thotë së kanë marr premtime nga Komuna për vendosjen e orarit të punës për këto biznese.

Violeta Hasani – kallxo.com

“Komuna e Prishtinës i mban takimet e këshillit lokal “siguria në bashkësi” të rregullta çdo dy muaj, prej fillimit qe është adresu mbajtja e atyre takimeve e kemi adresu këtë problem, ka përmisime që i kemi mbajt me disa nënkryetar të komunës por i kemi katër kafiteri që bezdisin banorët vazhdimisht. Tri prej tyre janë në rrugën ‘Rexhep Luci’ dhe njëra është në rrugën “Nurie Zeka”. Mbajnë muzikë të gjallë, i qesin zmadhueset dhe i vendosin jashtë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, banori tjetër, Xhevdet Shkodra thotë së më këtë problem janë përballuar tashmë e 16 vite, për të cilën shton së janë ankuar vazhdimisht.

Xhevdet Shkodra – kallxo.com

Ai paralajmëron edhe masa tjera në rast së personat përgjegjës nuk ndërmarrin diçka.

“Neve me marrëveshjet tona, me zotimet e komunarëve dhe të njerëzve që janë përgjegjës për këtë punë na kanë ardhur deri të maja e hundesë  dhe nuk ka mbetur asgjë tjetër nëse eventualisht nuk ndryshon diçka përveç se të ushtrojmë dhunë ndaj bizneseve që të mbrojmë jetën e fëmijëve, jetën edhe të pleqve që banojnë këtu, se duhet me pas parasysh që ka fëmijë që përgatiten për shkolle e të tjerë për punë, e të sëmurë”, tha Shkodra.

Në mbështetje të këtyre banorëve janë bashkuar edhe asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.

Asamblisti i VV-së, Eman Rrahmani në një prononcim për KALLXO.com tha së kjo çështje është dashur të rregullohet tash e dy vite përmes një rregullore që është zvarritur në asamblenë komunale.

Eman Rrahmani – kallxo.com

Ai shton së Komuna duhet të sigurojë një jetë normale dhe të qetë qytetarëve.

“Ky është një problem shumë i kamotshëm i qytetarëve që nuk po e ndjejnë mbështetjen nga komuna e Prishtinës. Ne si asamble në fillim të vitit 2018 e kemi kaluar një rregullore do të rregullohej mënyra e punës dhe se si do të funksionoj të gjitha bizneset në Prishtinë. Kanë kaluar dy vite dhe ekzekutivi nuk ka zhvilluar asnjë diskutim për me e zgjedh këtë problem jashtë serioz për ta. Ne do të angazhohemi qe të vije në kuvend komunal kjo rregullore”, deklaroi ai.

 

KALLXO.com kishte raportuar në prill së zhurma nga muzika e lartë që vjen nga kafenetë përgjatë rrugës ‘Fehmi Agani’ në kryeqytet ka qenë problem i kamotshëm i banorëve përreth.

Ligji për Rend dhe Qetësi Publike 03/L-142, neni 8 thotë se:

1. Kushdo që shkakton zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme e cila mund të dëgjohet nga banorët rreth ose në rrugë dhe që shqetëson personat e tjerë ndërmjet orëve 22:00 të mbrëmjes dhe orës 07:00 të mëngjesit gjatë ditëve të javës, dhe mes orëve 23:00 të mbrëmjes dhe orës 07:00 të mëngjesit të shtunave dhe të dielave do të dënohet për kundërvajtje.

2. Nëse kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni bëhen nga një person fizik, ai/ajo do të dënohet me gjobë prej tridhjetë (30)€ deri në pesëqind (500)€. 3. Nëse kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni bëhen nga pronari ose personi përgjegjës i një biznesi, ai/ajo do të jetë përgjegjës për ndëshkimin me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150)€ deri në shtatëqind (700 )€.