Banorët e një lagjeje në Skenderaj ankohen për 'dëmet' nga tymi i fabrikës së blloqeve

Rrobat me ngjyrë të bardhë të varura për tharje në ballkonet e shtëpive me fasadë po ashtu të bardhë po marrin ngjyrë në të hirtë për shkak të tymit të zi që del nga oxhaku i fabrikës së prodhimit të blloqeve.

Kështu po pretendojnë banorët e një lagjeje të Skenderajt.

Ata po ankohen edhe se po e kanë problem të hapin edhe dritaret për ajrosje për shkak të erës që i vjen tymit, e cila po u shkakton probleme edhe në frymëmarrje.

“Ndotja nuk është vërejte kurrë si tash. Po të jetë dritarja hapur, tymi hynë brenda, shifet, nuk guxojmë m’i lanë hapun. Varet prej erërave prej cilës anë fryjnë edhe e bartin. Nuk është gjithnjë njësoj. Natën shifet edhe ma shumë. Tarracën çdo ditë duhet me e fshi sepse mbushet, dallohet që është lëndë djegëse, por na nuk jemi ekspert se çfarë është. Kërkojmë që të na zgjidhin shumë shpejtë, që mos me na ra edhe neve me dal në rrugë me shpreh këtë shqetësim”, thotë për KALLXO.com Fejzullah Smajli.

Banorët e lagjes 1 në Skenderajt /Foto: KALLXO.com

“Nuk është problem që nuk zgjidhet, mjafton me u interesu organet kompetente, sepse ne nuk kemi diçka kundër kompanisë, por më e rëndësishme është shendeti ynë”, rrëfen ai.

“Kjo shtëpia e komshiut këtu, nuk ka as një vit që e ka ngjyros jashtë, tash veç e bardhë nuk është”, drejton gishtin Smajli në drejtim të një shtëpie e cila ndodhet në rrugën “Fazli Grajqevci”.

Banori tjetër, Rexhep Uka, i bën thirrje edhe kompanisë që të vijë të bindet vetë për situatën të cilën ata e quajnë shqetësuese.

“Le të vijnë edhe të fabrikës, le të binden vetë e le ta bëjnë një zgjidhje”, thotë Rexhep Uka.

“Ne jemi banorë në këtë lagje që rreth 40 vite. Kurrë telashe s’kemi pasë me tym. Nuk e di çfarë lënde djegëse kanë përdorë atëherë, më duket që mazuti, tash nuk e di, por po krijohet një tym i zi i yndyrshëm që po na shqetëson edhe në frymëmarrje. Por edhe në shtëpi, fasada edhe në rrobat e larjes kur i vendosim nëpër ballkone, mbushen me tym”, ka deklaruar ai.

Fasada që ka marrë ngjyrë në të hirtë në një shtëpi në rrugën “Fazli Grajqevci” në Skenderaj,

Të kontaktuar nga KALLXO.com, kompania “Vëllëzërit Geci” kanë shprehur gatishmërinë për të biseduar me qytetarët, pasi sipas tyre, deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga askush.

“Nuk kemi pranuar deri më sot ankesa për tymin që del nga fabrika jonë. Dhe në qoftë se kanë, ne si gjithmonë, jemi të hapur dhe të gatshëm edhe direkt për bisedime me qytetarët për këtë ankesë dhe jo vetëm”, thonë nga kompania.

Kompania ka deklaruar se lënda me të cilën punojnë është petrolkoks. Petrolkoks është lëndë djegëse e ngurtë, në trajtën e qymyrit me pore, që përftohet nga distilimi i thatë i qymyrgurit, i torfës etj. dhe që përdoret në industrinë metalurgjike.

Ata thonë se më parë kanë punuar me mazut, por për shkak të ngritjes së çmimit të tij, janë detyruar që ta ndërrojnë.

“Në të gjitha fabrikat e tullave në krejt Kosovën digjet e njëjta lëndë – petrolkoks. Ajo digjet në të gjitha fabrikat, Gjakovë, Landovicë, Mamushë, Kamenicë, Klinë, Mazgit, Podujevë, pra nja 7-8 fabrika e përdorim të gjithë të njëjtën lëndë. Më përpara ka qenë mazuti si lëndë djegëse por për shkak të shtrenjtimit të tij, nuk kemi pasur mundësi me vazhdu me të, është dashtë me ndërpre prodhimin nëse kishte vazhdu më gjatë”, kanë thënë përmes telefonit nga kompania.

“Jemi pra duke punu tash me këtë lëndë djegëse. Në Skenderaj s’ka asnjë fabrikë tjetër funksionale, e vetmja të cilës nuk iu ka ndërru destinacioni është e jona pas privatizimit. Nuk e di tash qytetarët qysh e shohin, ne nuk jemi me u shkaktu dëm qytetarëve, sepse jemi të një vendi, këtu jetojmë edhe punojmë, së pari do të ishte i dëmshëm për neve aty se sa për banorët që jetojnë më larg”, u shprehen nga kompania “Vëllezërit Geci”.

KALLXO.com ka provuar që të marrë edhe një qëndrim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK) për pasojat e mundshme në shëndetin e qytetarëve nga djegia e kësaj lënde djegëse. Mirëpo, nga Instituti kanë deklaruar se fillimisht duhet paraqitur raporti nga Inspektorati i Mjedisit për të vazhduar më pas ata me konstatimet e tyre.

Peticioni që zuri vend vetëm në arkivin e Komunës 

Ndonëse kompania nuk ka pranuar asnjë ankesë drejtpërdrejt nga banorët, këta të fundit në muajin prill të vitit 2021 ishin drejtuar në një derë tjetër.

Rexhep Uka bashkë me disa banorë të tjerë e kishin dorëzuar një peticion në Komunën e Skenderajt.

Asokohe, kjo Komunë qeverisej nga Bekim Jashari.

Banorët ishin larguar me shpresë pasi nga Komuna iu tha që peticioni do t’i dorëzohet një institucioni më kompetent për këtë punë.

“Ne si lagje kemi bartur një ankesë me 65 nënshkrime, ata na thanë se do ta bartim në Ministrinë e Ambientit, deri më tash nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë banori Rexhep Uka.

Por, ky peticion nuk përfundoi kurrë në zyrat e Ministrisë së Ambientit.

“Në inspektoratin e MMPHI-së nuk ka ardhur ndonjë ankesë nga komuna e Skenderajt”, thonë nga Ministria e Ambientit në një përgjigje për KALLXO.com.

Edhe qeverisja aktuale, në krye me Fadil Nurën, thotë se nuk janë të njoftuar që nga banorët të jetë dorëzuar ndonjë peticion në Ministrinë përkatëse.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka siguruar një kopje të peticionit, në të cilën shihet se dokumenti ishte protokolluar. Rrjedhimisht i bie se peticioni është dorëzuar dhe pranuar nga komunarët.

Peticioni

Në atë dokument shihet se peticioni i është drejtuar Drejtorisë së Urbanizimit. Ky dikaster atëkohë udhëhiqej nga Sanije Ahmeti.

Ahmeti nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve nga KALLXO.com lidhur me këtë çështje.

Në anën tjetër, qeverisja aktuale në Skenderaj thotë se është “e interesuar” që t’ju gjejë zgjidhje banorëve brenda kompetencave si Komunë.

Siç thonë ata, kjo çështje duhet adresuar në Ministrinë e Ambientit.

“Është kompetencë e Inspektorëve të mjedisit të cilët janë në kuadër të Ministrisë së Ambientit. Ata nëpërmjet aparaturave përkatëse e masin nivelin e ndotjes ose edhe mund ta konstatojnë që tymtarët e këtij prodhuesi janë të pajisur me filtera përkatës.”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Komunës që udhëhiqet nga Fadil Nura i PDK-së.

Ndërkaq, Ministria e Ambientit në një përgjigje për KALLXO.com thotë se për këtë vit ka në plan të punës inspektimin e industrisë në fjalë.

“Inspektorati I MMPHI-së, për ketë vit ka në plan të punës inspektimin e Industrisë ne fjalë dhe gjatë inspektimit do te ndërmerren të gjitha masat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Fasada që ka marrë ngjyrë në të hirtë në një shtëpi në rrugën “Fazli Grajqevci” në Skenderaj,

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.