Banorët e Mitrovicës në hall me rrugën e pashtruar

Rruga nëpër të cilën kalojnë çdo ditë banorët e lagjes “ Strana“  është e pashtruar.

Kjo po ju shkakton vështirësi banorëve të kësaj lagjje, të cilët janë ankuar për pluhur dhe baltën që bëhet në këtë rrugë gjatë stinës së dimrit.

Rruga e pashtruar, Mitrovicë
FOTO-KALLXO.com

Rruga “Ago Agaj“ e kësaj lagjeje që nga pas lufta sipas banorëve asnjëherë nuk është rregulluar, edhe pse këtë disa herë e kishin kërkuar nga Komuna e Mitrovicës.

Tafil Strana, njëri nga banorët ka thënë se kjo rrugë po ju shkakton shumë telashe, sidomos tani kur pritet që të ketë më shumë lagështi.

Ai ka shtuar se në Komunën e Mitrovicës kishin dorëzuar disa herë kërkesa me qëllim që komuna të ju bëjë zgjidhje, por se kjo nuk kishte ndodhur deri më tani.

“ Ne kemi bërë disa kërkesa në Komunën e Mitrovicës por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje “, tha Strana.

Në kërkesën drejtuar Komunës së Mitrovicës shpjegohet se 18 shtëpi banimi gjenden aty, ndërsa gjatësia e rrugës është  300 deri në 400 metra.

Kurse në videon e siguruar nga KALLXO.com shihet një udhëkryq ku lidhen tri rrugë, dy prej të cilave janë të shtruar në kubëza betoni derisa në pjesën ku fillon rruga në fjalë është e pashtruar.

 

KALLXO.com ka dërguar pytje në Komunën e Mitrovicës lidhur me këtë problem të qytetarëve, por tash e disa ditë ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigjje.

Mitrovica po udhëhiqet nga Agim Bahtiri që ishte zgjedhur kryetar sa ishte pjesë e Aleancës Kosova e Re ndërsa tani është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.