Banorët e Matit 1 në hall nga kundërmimi i kanalizimit

Hapja e dritareve për ajrosjen e shtëpive po bëhet gjithnjë e më e vështirë në lagjen Mati 1 në Prishtinë.

Mungesa e sistemit të rregulluar të kanalizimit në këtë lagje të kryeqytetit po i shkakton probleme të mëdha.  Ujërat e zeza në këtë lagje derdhen në një përroskë që përveç pamjes së keqe shkakton edhe shumë telashe tjera.

Problem më të madh e kanë banorët e kompleksit “Royal” në rrugën”Jakovë Xoxa”.

Ky kanalizim ka vite qe është mbetur i parregulluar, ndërsa banorët e kësaj lagjje thonë se vazhdojnë të ankohen çdo vit në Komunën e Prishtinës.

Sipas tyre, komuna vazhdimisht i thotë se nuk kanë buxhet për intervenim.

Reshjet atmosferike në vjeshtë dhe dimër shkaktojnë vërshimet e kanalizimit duke e vështirësuar dukshëm qarkullimin.

Ndërsa gjatë stinës së verës banorët thonë nuk mund të hapin dritaret e banesave të tyre e as të dalin në terrasë për shkak të erës së keqe.

Ata madje thonë se kanë pësuar dëme në vetura për shkak të rrjedhjes së kanalizimit.

“Veturat nuk kemi ku të i parkojmë, pasi në momentin që i vendosim në garazh do të jetë kanalizimi ai i cili do t’i shkatërroj, ndërsa  katër vetura të banorëve të tjerë janë shkatërruar prej këtyre ujërave të zeza” tha Blerim Hasani, banor i lagjes.

Drita Geçi,  po ashtu banore e kësaj lagjeje tha se ky problem nuk ka zgjidhje tjetër vetëm të rregullohet nga Komuna e Prishtinës.

Megjithatë, Komuna nuk ka dhënë shumë detaje lidhur me shkaqet e kësaj gjendje.

Në një përgjigje për KALLXO.com ata kanë thënë se po bëjnë përpjekje për zgjidhje.

Lidhur me këtë çështje, komuna e Prishtinës është shprehur se po bën të pamundurën për të zgjidhur situaten.

“Jemi duke u munduar me e zgjidhe këtë çështje, mirëpo është Kompania Rajonale e Ujësjellësit ajo e cila është përgjegjëse për rregullimin e këtij problemi kontaktoni ata”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër  Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina tha se komuna ka përgjegjësi për këtë situatë.

”Jemi të vetëdijshëm për këtë problem, mirëpo Komuna e Prishtinës ka përgjegjësi lidhur me këtë çështje, ata duhet të ndërmarrin diçka e pastaj ne”, thuhet në përgjigje.