Banorët e lagjes Kalabria në hall nga zhurma e kafiterive

Banorët në rrugën “Ali Vitia”, në lagjen ‘Kalabria’ të kryeqytetit po ankohen për zhurmën që shkaktojnë kafiteritë në këtë lagje.

Ata kanë bërë një peticion, për të ndaluar këtë zhurmë, ndërsa thonë se zhurma kryesisht është gjatë orëve të mbrëmjes.

Peticioni i nënshkruar nga banorët para rreth një viti, i është dërguar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj.

Sipas anëtarit të Këshillit të Bashkësisë Lokale të kësaj lagjeje, Hilmi Halili, para rreth një viti, Njësia Speciale e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë kanë bërë bastisje në disa lokale të kësaj lagje, ku janë gjetur armë, substanca narkotike dhe janë arrestuar katër persona.

Por sipas Halilit, kafiteritë vazhdojnë të bëjnë zhurmë.

“Na pengon me zhurmën ekstreme të zërit të ngritur të muzikës, që fillon zakonisht rreth orës 20:00 të mbrëmjes dhe që zgjat deri në orët e hershme të mëngjesit. Gjithashtu, nuk mungojnë as bërtitjet, grindjet, sharjet e kërcënimet”, ka thënë Halili për KALLXO.com.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka ndërhyrë herë pas here, por se deri më tash nuk ka masa administrative për ndalimin e zhurmës.

Rrahje masive në një lokal në Prishtinë – VIDEO

 

 

 

 

KALLXO.com ka kontaktuar edhe pronarin e kafiterisë “Marocco”, Samed Potera, për të cilin banorët e lagjes kishin bërë peticionin. Në përgjigjen e tij, Potera ka thënë se lokali i tij punon sipas lejes që e ka nga komuna.

“Unë deri në ora 12:00 (të mbrëmjes) shërbej, 12 e 30 mshelet lokali. Unë lejen e kam në komunë qysh e kanë krejt, nuk është vetëm lokali im që punon shembull deri në atë orë, krejt kafiteritë në Prishtinë punojnë. Unë kam leje qysh kanë krejt kafiteritë e Prishtinës”, ka thënë Potera në përgjigjen e tij përmes telefonit.

Po ashtu, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës në lidhje me këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të artikullit, Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërsa, drejtori i Inpekcionit, Adonis Tahiri, të shtunën përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se janë inspektuar disa lokale në lagjen ‘Kalabria’ dhe ‘Bregu i Diellit’.

“Bashkë me policët e Stacionit të Jugut, inspektuam lokalet në Kalabri dhe Breg të Diellit, me ç’rast shqiptuam gjashtë gjoba për tejkalim të orarit. Meqë ankesat e banorëve janë të shpeshta, do të shpeshtohen edhe aksionet tona, pavarësisht numrit të vogël të inspektorëve”, ka shkruar Tahiri.