Prishtina

Banorët e lagjes Dardania mbesin pa ujë, Ujësjellësi thotë se rrjedhjet e brendshme të ujit duhet t'i riparojnë vetë

Banorët e lagjes “Dardania” në kryeqytet, përkatësisht të bllokut në afërsi të “Postës së Madhe” në rrugën “28 nëntori”, po ankohen për mungesë të ujit.

Banori i kësaj lagje, Memli Mullaabazi ka thënë për KALLXO.com se rreth 40 familje kanë mbetur pa ujë tash e dy ditë.

Ai thotë se kanë kontaktuar disa herë me kompaninë rajonale të ujësjellësit, dhe se sipas tij, nuk është bërë asnjë zgjidhje deri më tani.

“Veç ka rrjedhje të ujit po thonë”- tregon banori.

Ndërsa, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se ka rrjedhje të ujit në ndërtesën e tyre dhe se janë detyruar të ndërpresin furnimin me ujë për shkak se sipas tyre ky defekt po shkakton humbje jashtëzakonisht të mëdha.

Sipas zëdhënëses së kompanisë, Arjeta Mjeku, ata i kanë njoftuar banorët që disa vite për këtë problem dhe se sipas saj, Ligji për Bashkëpronësi i obligon banorët që rrjedhjet e brendshme t’i riparojnë vetë.

“Me këtë rast, ne nuk kemi ujë për të humbur dhe për të dëmtuar konsumatorët e tjerë, andaj bazuar në rregulloret e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit i kemi shkyçur nga shërbimi i furnizimit me ujë” – tha Mjeku.

Ajo po ashtu shtoi se për hir të vapës së madhe kanë dërguar ekipet për të rikthyer furnizimin me ujë, por nëse deri në fund të javës banorët nuk e rregullojnë defektin, ata do ta ndërprejnë sërish furnizimin duke u bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi.