Banorët e lagjes “2 Korriku” në Mitrovicën e Jugut ankohen për rrugë dhe mungesë të infrastrukturës
Banorë të lagjes “2 Korriku” në Mitrovicë të Jugut tash e një kohë kanë problem me rrugë dhe mungesë të infrastrukturës.
Nysret Loshaj, thotë se rruga “Kalabria” e cila gjendet në këtë lagje është në gjendje të mjerueshme qe 23 vjet.
“Kjo rrugë është gjithë kështu- prej vitit 2001 ka qenë kështu dhe po vazhdon me konë njëjtë në këtë gjendje”- ka thënë Loshaj.
Ai tregon se shumë herë kanë trokitur në dyert e komunës, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
“Komuna nuk është e interesuar. Nuk ka bërë as edhe një investim të vogël, përveç këto partitë politike në kohën e zgjedhjeve vijnë edhe vendosin gurë”- deklaroi Loshaj për KALLXO.com
E kur ka reshje atmosferike, këtë gjendje e përjetojnë edhe më keq qytetarët.
“ Ma s’pari kur bjen shi, për me dalë në rrugën kryesore duhet me vesh çizme me kalu këtë pjesë”- thotë një 24- vjeçar që nuk parapëlqen t’i përmendet emri.
Por, qytetari tjetër, Ali Uka, e jep një shpjegim pse ka mbetur kjo rrugë pa u rregulluar. Ai këtë e ndërlidh me mosrregullimin e shtratit të lumit Sitnica.
“Komuna e ka pasë buxhetin për me rregullu këtë rrugë e po ashtu edhe shtratin e lumit Sitnica, por punimet i kanë ndalu. Se ku ka shku ky buxhet e dinë ata”- deklaron Uka.
Mospërfshirja në ndonjë parti politike, sipas tij, mund të jetë arsyeja kryesore që kjo rrugë është në këtë gjendje.
Edhe një qytetar tjetër thotë se vetëm në kohën e fushatave elektorale “ju kujtohemi komunës dhe drejtorive”.
Rruga e dëmtuar u shkakton telashe edhe bizneseve në këtë pjesë të lagjes.
“Na kemi biznes këtu. Kur vijnë klientat çuditen që mundet me ekzistu kjo rrugë në Kosovë, e në qendër të qytetit”- deklaron një 50-vjeçar.
Sadik Tahiri, banor tjetër i kësaj lagje, thotë se kanë kontaktuar me drejtorin për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
“Drejtori vetëm premton që brenda javës rregullohet, por javët po shkojnë e asgjë s’po rregullohet- po e shihni gjendjen ”- deklaron Tahiri për KALLXO.com
Granit Tmava, drejtor për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në këtë komunë ka theksuar për KALLXO.com më 19.08.2024, se rregullimi i infrastrukturës së kësaj rruge është planifikuar me buxhetin aktual të këtij të vitit 2024.
“Rruga ‘Kalabri’ gjendet në lagjen ‘2 Korriku’, është një rrugë e cila ka nevojë për trajtim dhe rregullim të infrastrukturës. Rregullimi i kësaj rruge është planifikuar me buxhetin aktual të këtij viti. Pritet të bëhet marrëveshja me kompani …”- ka thënë Tmava për KALLXO.com.
I pyetur pse nuk është intervenuar ende në rregullimin e kësaj lagje, ai thotë se me rregullimin e shtratit të lumit Sitnica pritet të bëhet edhe rregullimi i lagjes “Kalabria”.
Foto: Kallxo.com