Banorët e Koshtovës së Bobit në Mitrovicë kërkojnë rregullimin e shtratit të lumit - VIDEO

Shtrati i lumit i parregulluar që kalon në afërsi të 25 shtëpive në fshatin Koshtovë e Bobit në Komunën e Mitrovicës së Jugut po krijon vështirësi dhe rrezik për jetesën e banorëve.

Banorët e lagjeve “Binaku” dhe “Latifi” thonë se edhe pas 11 vjetëve që ishin munduar për të rregulluar këtë – siç e quajnë kanal – nuk kanë marrë asnjë ndihmesë.

“Problemi është se që 11 vjet kemi participuar dy lagjet. Kemi qenë në Komunë, por asnjë përgjigje nuk kemi. Po, po…, jo nuk thonë kurrë. Punë nuk kryejnë kurrë. Kështu kemi mbetur në mëshirë të fatit.” – ka thënë për KALLXO.com banori i fshatit, Sherif Latifi.

Latifi ka shtuar se “nuk e di, nëse nuk ndërmerret diçka këtu, ne veç do të largohemi krejt dhe do të shpërngulemi prej këtu”.

“Te Granit Tmava (Drejtori Komunal) jena kanë për qit rekë (lumë), por na ka thënë që duhet të shkojmë në Emergjencë. Kemi shkuar në Emergjencë, ku na thanë që nuk kemi buxhet për këto dhe kemi mbetur kështu.” – pohoi Latifi.

Një tjetër banor, Sheshivar Brahimi ka thënë për KALLXO.com, se është i gatshëm të marrë “hapa ekstremë”, nëse nuk do të ketë ndonjë ndërhyrje nga autoritetet lokale.

“Unë jam Sheshivar Brahimi dhe do të dal tek Ura. Do të lajmëroj Komunën për datën kur dhe do të bllokoj rrugën. Unë do të jem iniciator për rrugën. Jam plakë, le të më çojnë ku duan. Nuk ka lidhje. Jo, jo, paguaj rrymën, paguaj ujin, paguaj bërllogun, çka na, ku jetojmë ne!?” – tha Brahimi.

Sipas banorëve ata kishin kontribuar me afro 5 mijë euro për rregullimin e këtij kanali, para 11 vjetëve.

“Në qeverisjen e Avni Kastratit kemi kontribuar, saktësisht nuk e di, dikund rreth 5 mijë euro. Kanë filluar të rregullojnë dhe pastaj e kanë ndërprerë. Na thanë se deri këtu kemi.” – ka përfunduar Latifi.

Se çfarë kërkojnë nga aktorët komunalë, na tregon banori Sheshivar Brahimi, ku thotë se duhet të rregullohet ndonjë mur apo rindërtimi i kanalit.

“Që aty 1 metër e 20 është ku është rregulluar. Aty pa u bërë një mur, nëse lejohet, ose të bëhet kanalizim, është edhe më mirë. Por, nëse nuk bëhet kanalizimi, le të bëhet si në Vaganicë që u bë kështu, sepse deri atje përtej pemëve është i shtetit, nuk është i komshinjës, por është i shtetit.” – potencoi Brahimi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Mitrovicën e Jugut, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.