Biseda me një banor të Komunës së Zveçanit, Foto: KALLXO.com

Banorët e komunave të veriut pranojnë se prodhohen kriptovaluta në Leposaviq, Zveçan e Mitrovicën Veriore

Në veri të Kosovës, më saktësisht në komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut të shumta janë pajisjet të cilat janë vënë në funksion për të  prodhuar valuta digjitale.

Në këto komuna që nga koha e pasluftës nuk paguhet energjia elektrike nga banorët ndërsa shpenzimi i energjisë është rritur vitet e fundit. Kjo për shkak se në këto zona po prodhohet edhe kriptovaluta digjitale.

Disa nga banorët në këto zona pranojnë se prodhimi po bëhet nën arsyetimin se atje nuk paguhet shpenzimi i energjisë elektrike dhe kjo ka bërë më të lehtë prodhimin e kësaj kriptovalute e cila shpenzon shumë energji.

Përveç banorëve shqiptarë që pranojnë se po prodhohen kriptovaluta digjitale me pajisje të veçanta, edhe banorët serbë në këto zona rrëfejnë të njëjtën gjë.

I pyetur nëse njeh ndonjë person që merret me prodhim të kriptovalutave digjitale, një banor i Zveçanit tregon për një shok të tij.

“Është një shok i imi nga Leposaviqi që merret me këtë. Tash do ta thërras në telefon, a mund të prisni që ta pyes? Dëgjo unë e di që ky ka Bitcoin por ti i thua se kam dëgjuar dhe më pas pyete për to”, tregon gjatë një bisede banori i Zveçanit.

Gjatë bisedës me ekipin e KALLXO.com banori përpiqet që ta telefonoj shokun e tij për ta pyetur për pajisjet e prodhimit të valutave digjitale por i njëjti ishte i paqasshëm dhe në këtë mënyrë ai ndau edhe numrat e telefonit për të kontaktuar me ta.

Madje ai tregon se shoku i tij Milani shkon në Austri për të siguruar pajisje dhe më pas i shet për të tjerët.

Gjatë kohës sa banori i Zveçanit bisedon me ekipin e KALLXO.com ai tregon se ka edhe një shok tjetër që merret me prodhimin e valutave digjitale.

“Ky është Sergjani i Kolashinit nga Zubin Potoku. Ky po ashtu ka, por se sa ka nuk e di, por e di që merret me këtë punë”, përfundon bisedën me ekipin e KALLXO.com banori.

Një tjetër banor i Leposaviqit tregon se ka dëgjuar se ka persona që merren me prodhimin e valutave digjitale.

“Nuk e di a ka (persona që merren me bitcoin), por ka sigurisht. Nuk e di ku t’i gjesh, kam dëgjuar që merren me këtë punë. Nuk e di saktë por kam dëgjuar se ka shumë si në Rudare, Mitrovicë, por nuk e di saktë”, tregon një tjetër banor i komunës së Leposaviqit.

Në hulumtimin e  KALLXO.com të transmetuar mbrëmjen e sotme u transmetuan biseda të shkurta ekskluzive me banor të komunave me shumicë serbe deri sa pranojnë se në këto zona prodhohen kriptovaluta.

Sergjani, numrin e të cilit KALLXO.com e siguroi përmes një banori, tregon se nuk merret me këtë punë më por ai shprehi interesim që të lëshojë me qira pjesë nga shtëpia që të vendosen pajisje për prodhim të  valutave digjitale.

“Sergjan e kam marr këtë numër të telefonit, jam i interesuar për një vend t’i vendos pajisjet”, ishte pyetja e gazetarit të KALLXO.com në një bisedë telefonike me Sergjanin.

Gazetari e pyet Sergjanin nëse ka ndonjë vend për të vendosur pajisjet ndërsa menjëherë vjen përgjigjja e tij “Sa copa i ke?”, gazetari ia kthen përgjigjen që ka pesë copë ndërsa ai sërish kthehet me pyetje: “Në rregull sa mendon se kushtojnë për t’i vendosur?”

Gazetari i jep një çmim prej 12 deri në 20 euro ndërsa përgjigjja e Sergjanit ishte: “Jo, shumë dobët, nuk do t’i vendos kërrkush. “Po sa kërkojnë?”, pyet gazetari, “Po nuk e di, por 30-40 jo, diku 50 euro copa”, jep çmimin Sergjani.

KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit edhe me shefin e mbikëqyrjes së shpenzimit të energjisë elektrike në veri të Mitrovicës, Zoran Obradoviq.

I pyetur në lidhje me ngritjen e shpenzimeve të energjisë elektrike në veri të Mitrovicës për shkak të prodhimit të kriptovalutave digjitale. Obradoviq nuk e pranon një gjë të tillë.

“Më të thënë një send, vitin e kaluar ka qenë shumë më keq, ndërsa tash nuk kemi ndonjë indikacion përveç në disa zona të qytetit janë të ngarkuara për shkak të rrjetit të vjetër dhe sistemi ynë nuk e përballon diçka të tillë”, tregon ai përmes telefonit.

Ai madje tregoi edhe se më herët ka dëgjuar për këto pajisje që prodhojnë kriptovaluta digjitale.

“Unë po e shoh se këto ditë, gjatë festive, si 1 maji, ka rënë shpenzimi i rrymës elektrike. Më herët janë dëgjuar se këto pajisje janë të zhurmshme dhe dëgjohen shumë…Por tash nuk ka më. Së ku janë zhvendosë, e ne nuk e dimë, sepse ata lëvizin shpesh”, vazhdon të tregoj në një bisedë telefonike me KALLXO.com, Obradoviq.

Prodhimi i kriptovalutës digjitale shpenzon energji të madhe elektrike. Pjesa më e madhe e shpenzimit të energjisë elektrike ndodhë gjatë prodhimit të tij ndërsa pas krijimit, energjia e cila shpenzohet është minimale.

Në Kosovë gjatë viteve 2017-2018 sipas statistikave të Doganës së Kosovës ka pasur miliarda importim të pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave digjitale.

Përveç pajisjes e cila në pamje duket si shtëpizë e kompjuterit, për prodhim të Bitcoin duhen edhe disa kartela grafike.

Vetëm në katër muaj të këtij viti janë importuar rreth 600 mijë euro kartela grafike ndërsa rreth 3 mijë euro pajisje për prodhim të Bitcoin-ëve.

Në vitet 2017-2017 janë importuar pajisje për prodhim të bitcoin në vlerë të 3 milion e 389 mijë e 566 euro ndërsa kartela grafike në vlerë të 4 milion e 791 mijë e 374 eurove.