Banorët e Kçiqit të Madh ankohen se gurthyesi po ua prish rrugën

Rruga për te Kodra e Cërrnushës e cila kalon nëpër fshatin Kçiq i Madh të Mitrovicës është bërë mollë sherri në mes banorëve dhe kompanisë së gurthyeseve, “ Lirigzoni”.

Banorët po ankohen se kjo kompani po ua prish rrugën.  Pamjet të cilat kanë arritur në adresë të KALLXO.com, tregojnë gjenden e saj. Megjithatë, kompania mohon tu ketë bërë dëme banorëve siç pretendojnë ata.

Imer Fejza, anëtar i Këshillit të Fshatit ka thënë për KALLXO.com se përveç rrugës, atyre po u rrezikohen edhe fëmijët nga kamionët që kalojnë në rrugën, ” Rruga e Malit”

Fejza shton se si shkak i gurthyesit ata po kanë probleme dhe me furnizimin  me ujë, i cili vie nga Kodra e Cërrnushës.

“ Ka fillu me e dëmtu edhe natyrën edhe ujit, burimet e ujit prej të cilave ne furnizohemi, një pjesë e madhe e fshatit. Këto nuk janë as kodra më, i ka shkatërru edhe rrugët që të çojnë anej që kanë qenë të asfaltuara. Rruga nuk ka trotuar që është edhe shumë e rrezikshme për fëmijët pasi që njëra nga rrugët të dërgon tek shkolla”, tha Fejza për KALLXO.com

 

Ndërsa vet pronari i kompanisë, Sabri Haxhijaj i ka quajtur të pabaza ankesat e banorëve dhe ka thënë se pjesët e dëmtuara të rrugës do të rregullohen në pranverë të 2021.

“Ankesat e banorëve janë të pabaza nuk është dëmtuar ashtu siç thonë ata, ne iu kemi premtuar dhe kemi nënshkruar kontratë me banorët e Kçiqit, por nuk u kemi jep garancion se kur do ta rregullojmë pasi që  nëse rregullohet kur prishet koha atëherë kualiteti i rrugës nuk do të ishte i mirë. Në pranverë të vitit 2021  do të rregullohet, kjo është vetëm çështje politike. Nuk qëndron që u është ndal uji”, tha ai për KALLXO.com

Banorët e Kçiqit të Madh kanë thënë për KALLXO.com se kanë dorëzuar peticion gjatë kësaj jave në Komunën e Mitrovicës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Mitrovicës, por që deri në publikimin e këtij shkrimi ata nuk kanë kthyer përgjigje.