Banorët e Gradicës ankohen për rrugën e shtruar pjesërisht

Projekti i shtrimit të një rruge në fshatin Gradicë të Drenasit ka nxitur protesta nga disa banorë.

Ata po ankohen për një pjesë të rrugës që ka mbetur pa shtruar edhe pse është në projekt.

Fadil Saliuki  nga lagjja ‘Saliuku’  thotë se punimet e fazës së parë kanë anashkaluar rrugën përgjatë 15 shtëpive.

“Kjo është në projekt 700 metra deri në fund, këta i kanë pru veç 400, e 300 metra na i kanë hek, këta [komuna] e din se e çka kanë ba. Janë shenjat më poshtë qe doket ku e kanë ndal projektin”, tha ai.

Sipas banorit tjetër, Anton Saliuki, punimet për asfaltimin e rrugës së tyre, po zhvendosen në një rrugë më pak të banuar.

“Rruga ka fillu që katër-pesë ditë këtu, u kanë për me ardh qiknena e na e kanë kthy anej naltë e kanë qu. S’ka projekt anej, janë veç dy shpija edhe ma shumë ajo rrugë shfrytëzohet për mal – bjeshkë. Në rrugën tonë janë 15 shtëpi që banojmë. Që 20 vite është në projekt kjo, tri herë kena la [dhënë] pare për projekt me shtru asfalt. Na kanë premtu, qetash ja nisen edhe na benën dallavere”,  tha ai.

Në anën tjetër, në Komunën e Drenasit thonë se punimet po zhvillohen ashtu siç ka qenë e paraparë në projekt dhe se është i ndarë në faza.

“Nuk është se është bërë asnjë ndryshim, mirëpo deri më tani projekti  i cili realizuar ka qenë projekt i planifikuar me fazën e parë të kontratës – lot 1.  Ndërsa, për lot 2 për kontratën tjetër, është një projekt tjetër qe d.m.th. se përfshin edhe lagjen e ‘Saliukëve’. Nuk ka të bëjmë që ka ndërprerje ashtu ka qenë e planifikuar dhe ashtu do të realizohet”, tha Dobra.

Dobra deklaroi se sipas kontratës, këtë vit pritet që të përmbyllet i gjithë projekti.

Banorët kanë protestuar të martën dhe të mërkurën dhe paralajmëruan se nëse kërkesa nuk përmbushet, ata do të pengojnë punimet.