Banorët e fshatit Stankaj të Rugovës kundërshtojnë projektin e komunës që sipas tyre po i lë pa ujë

Banorët e fshatit Stankaj po vazhdojnë të kundërshtojnë një projekt të komunës së Pejës që planifikon ta dërgoje ujin prej burimit të fshatit të tyre në fshatrat përreth.

Ata po ankohen se ky projekt shumë shpejt mund t’i lë pa ujë.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast edhe me herët.

Xhevahire Kelmendi, drejtore e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në komunën e Pejës kishte deklaruar për KALLXO.com se ky është një projekt i komunës në bashkëfinancim.

Kelmendi tha se komuna është e njoftuar se banorët e kanë kundërshtuar këtë projekt, mirëpo sipas saj në bazë të parametrave është konstatuar se do të ketë ujë të mjaftueshëm edhe për fshatrat që është destinuar.

Punimet e këtij projekti kishin filluar në vitin 2019, por ishin ndërpre pas ankesës së banorëve në Ministrinë e Mjedisit.

Fatmir Morina, drejtor i parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” në një bisedë për KALLXO.com tha se komuna nuk ka leje e as pëlqim mjedisor për këtë rast deri ditën e sotme.

“Deri sot nuk kanë pas, të paktën unë si drejtor dhe si drejtori nuk kemi informacion zyrtar që ka, ata nuk kanë prezantu dokumentacion, na i kemi ndalë punimet dy herë, rasti është në prokurori”, tha Morina.

Ndërsa nga organi i hetuesisë është konfirmuar se rasti është duke u trajtuar në Departamentin për Krime të Rënda.

Zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi për KALLXO.com tha se ky rast është trajtuar fillimisht nga departamenti i përgjithshëm, ndërsa tash ka kaluar për hetim në krime të rënda.

Ditën e martë banorët e këtij fshati kanë protestuar para objektit të Komunës së Pejës.

Ata thanë se kanë kërkuar takim me kryetarin por se ky i fundit nuk i ka pranuar.

Detajet e rastit i gjeni në linkun me poshtë.

Banorët e fshatit Stankaj të Rugovës ankohen se një projekt i komunës po i lë pa ujë (VIDEO) (kallxo.com)