Banorët e fshatit Stankaj të Pejës të rrezikuar nga shtylla elektrike e rrëzuar - VIDEO

Në rrugën ‘’Jeton Kurtaj’’, në fshatin Stankaj, të komunës së Pejës, një shtyllë elektrike dhe disa përcjellës elektrikë po paraqesin rrezik për qytetarët.

Ndërkaq nga KEDS-i kanë thë të premten se ekipet e tyre kanë dalë në terren për të sanuar problemin.

Një qytetar ka dërguar disa fotografi dhe video në adresën e KALLXO.com, në ta cilat shihet se është rrëzuar shtylla elektrike dhe përcjellësit e saj.

Sipas qytetarit, kjo ka ndodhur para disa ditësh, dhe nuk është ndërmarrë asgjë deri më sot.

“Qe 15 ditë e kemi thirrë KEK-un e Prishtinës, policinë, KEK-un e Pejës, as nuk kanë marrë kurfar mase për me dal m’i ndreq telat. Na u kanë përgjigj, dalim sot, dalim nesër, qe 15 ditë. Neve po na rrezikohet jeta për fëmijë’’ – ka thënë qytetari.

Ai ka treguar se kjo ka ndodhur për shkak se përcjellësit në këtë rrugë janë të lidhur në disa vende, kështu ka pasur presion brenda matësit të rrymës dhe është djegur një përcjellës brenda, prandaj është rrëzuar shtylla elektrike dhe përcjellësit.

Lulzim Krasniqi, zëdhënës në Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), ka thënë se ekipet e KEDS-it kanë dalë në terren/

“Njësisi i Pejës janë nisur për ta rregulluar dëmin”, tha ai të premten.

Ndërkohë, Fadil Gashi zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës, ka bërë të ditur se më datë 19 maj, stacioni policor në Pejë, ka pranuar informatë ku sipas një qytetari nga fshati Stankaj – Rugovë, disa përçues të rrymës janë të këputur nga një shtyllë elektrike.

‘’Sipas ankuesit i cili ka telefonuar në Stacionin Policor Pejë, ka njoftuar se ky problem është i mëhershëm dhe këtë problem e ka të paraqitur edhe në KEDS qysh më herët’’ – ka deklaruar Gashi.